Paraditen e sotme duhej të ishte zhvilluar mbledhja e Asamblesë së KF Vllaznia sh.a por ajo ka dështuar. Arsyeja ka qenë mosplotësimi i numrit të duhur të këshilltarëve që duhej për të nisur mbledhja. Nga minimumi 26 këshilltarëve që duhej të ishin në sallë, kanë qenë të pranishëm vetëm 20 dhe kjo ka bërë që kryetari i Këshillit të deklarojë moszhvillimin e mbledhjes ndërkohë që ka bërë të ditur se do caktohet një datë tjetër në ditët e ardhshme për zhvillimin e saj.
Dështimi i kësaj mbledhje sigurisht që është një skandal më vete. Nga 51 këshilltarët që ka Bashkia Shkodër, të jenë të pranishëm vetëm 20 vetë, kjo është e pafalshme. Por nuk është hera e parë që ndodh sepse edhe në mbledhjet e Këshillit Bashkiak të kohëve të fundit, është vërejtur një mungesë dëshirë e këshilltarëve për të qenë të pranishëm. Por problemi i mungesës në mbledhjen e Asamblesë kuptohet që ka ndikimin e vet tek skuadra e cila është që në muajin maj pa rroga. Pikërisht, një nga dy pikat e rendit të ditës të mbledhjes së sotme, ishte miratimi i një shume prej 170 milionë lekësh që do kalonin për klubin e futbollit Vllaznia ndërsa pika e dytë ishte miratimi i pasqyrave financiare të vitit 2016. Futbollistët tashmë janë në pritje të mbledhjes tjetër të Asamblesë duke shpresuar që ajo të mos dështojë sërish sepse ndryshe do mbesin pa rroga.
www.shkodrasport.com