Vdekja e Davide Astorit ka tronditur sot futbollin italian, pasi kapiteni i Fiorentinës njihej nga të gjithë si një lojtar model, i cili kishte fituar simpatinë e publikut kudo që kishte luajtur.
Edhe pse nuk ka ende një komunikatë zyrtare rreth dinamikës së ngjarjeve, mediat italiane kanë zbuluar se si shokët e skuadrës te Fiorentina kishin zbuluar për ngjarjen tragjike.
Astori, duke qenë kapiteni i skuadrës, flinte i vetëm në dhomën e hotelit në ditët e grumbullimeve.
Ai nuk kishte pasur asnjëherë shqetësime të karakterit fizik ndaj askush nuk kishte dyshime që mund t’i ndodhte ndonjë gjë e tillë.
Por sot ai nuk ishte paraqitur në restorantin e hotelit për të ngrënë mëngjesin, edhe pse zakonisht ishte ndër të parët që shfaqej, për të dhënë shembullin te të rinjtë.
Shokët fillimisht i telefonuan në dhomë dhe duke parë se nuk përgjigjej, u shqetësuan dhe u ngjitën lart.
Kanë qenë vetë lojtarët që kanë shqyer me shkelma derën e dhomës së Astorit duke e gjetur atë të pajetë në shtrat e duke mësuar kësisoj lajmin tragjik.
Mendohet se ai kishte pësuar një atak kardiak gjatë natës, por nuk ka arritur të reagojë e të kërkojë ndihmë.
Shokët e skuadrës, të përlotur, kanë qëndruar pranë trupit të pajetë derisa kanë mbërritur autoritete policore që e kanë dërguar në morgun e qytetit për të bërë autopsinë. /vipsport/