Ish-futbollisti, biznesmeni dhe filantropi Devid Bekham deklaroi të martën në Londër se argjentinasi Leo Mesi është, sipas tij, “lojtari më i mirë në botë”.
Për më shumë, ai vazhdoi me lëvdatat për lojtarin e tij te Inter Majami, duke e cilësuar argjentinasin si lojtarin më të mirë në historinë e topkëmbës. Bekham e bëri këtë gjatë një sesioni me pyetje dhe përgjigje në Londër të udhëhequr nga drejtuesja e përmbajtjes së “Netflix”, Bela Bajaria, në kuadër të panairit audioviziv “MIP”, ku themeluesi i Inter Majamit në MLS League (Liga profesioniste amerikane), ndau disa kujtime për veten dhe gruan e tij, Viktoria Bekham.
Ndër temat e tjera që ka prekur Bekham kanë qenë dhe ecuria e ish-ekipeve të tij, Mançester Junajtid e Real Madrid, si dhe ajo çfarë po ndodh me Sitin e Guardiolës.
Pikërisht duke u ndalur te Reali i Madridit, Bekham ishte i qartë: “Reali nuk mund të përjashtohet kurrsesi dhe asnjëherë nga ekuacioni. Të gjithë e dimë se çfarë janë në gjendje të bëjnë në Ligën e Kampioneve. Unë parashikoj që edhe në këtë sezon do të fitojnë Champions-in”, deklaroi Devid Bekham.