Trajneri i Teutës, Bledar Devolli, ka theksuar se nuk e pëlqen barazimin e sotëm ndaj Dinamos, edhe pse është një prej skuadrave pretendente të kampionatit.

“Normale nuk na kënaqi rezultati se na duhen pikët. Por e rëndësishme është që sot po krijojmë një identitet si ekip, që kur nuk kemi topin do vrapojmë e sakrifikojmë të gjithë. Kur të kemi topin, të shkojmë sa më shpejt të porta kundërshtare, kështu e kishim përgatitur. Në pjesën e parë më shumë volum se raste, në pjesën e dytë patëm disa mundësi, e rëndësishme është që po krijojmë identitet, kjo më pëlqen. Pastaj rezultatin nuk e kemi ne në dorë.

Zogos e njoh se e kam pasur te Kukësi, është lojtar i mirë, qendër e mbrojtjes. Nganjëherë është ccështje fati, me fatin nuk hamë dot inat. Kemi lojtarë të tjerë që do na shërbejnë se në këto kushte që jemi, do na duhen patjetër pikë.

Dinamo ka cilësi, filozofi loje, shpesh ndërrojnë dhe nuk luajë me një sistem, fusin katër sulmues brenda. Kishim informacion që mund të luajnë me romb, morëm masat. Në pjesën e parë bëmë presing lart, por ekipi nuk mund të bëjë 90 minuta presing lart se torturohet, zgjatet e bën gabime. E menaxhuam mirë, nuk lamë hapësira për cilësitë që kanë lart të na rrezikonin. Kjo më pëlqen te ekipi që po krijojmë identitet, këtë kërkoj që të jemi bllok, sakrifikojmë të gjithë se një ekip futbolli kështu duhet të funksionojë. Goditje standarte? Ne kemi shtatlartësi, po punojmë t’i shfrytëzojmë se fitohet ndeshja me to, nuk ishte e thëne t’i shfrytëzonim sot.

Nga nesër të përulur në stërvitje, të vazhdojmë, vërejtjet i bëjnë mirë ekipit. Këtë herë kishim një javë në dispozicion, jam i kënaqur nga dëshira e entuziazmi. Nëse një ekip nuk ka dëshirë e entuziazëm, është e kotë të vazhdojmë”, tha Devolli për RTSH pas ndeshjes.