Trajneri i Teutës, Bledar Devolli, e ka cilësuar humbjen e sotme si pasojë e gabimeve individuale të lojtarëve që nuk kishin interpretuar siç duhet momente të veçanta të duelit.
“Deri te goli i dytë ishim në lojë, por nuk duhet të jemi kaq bujarë, si te goli apo në standarte ku kemi shtatlartësi, si në golin e dytë me tranzicion. Mendoj se bëmë ndeshje të mirë si në pjesën e parë, kishim marrë masat. Vetëm dy herë që nuk u spostua Maçolli, na u futën dy herë nga krahu i djathtë, ata vetëm me krosime luajnë. Ne kemi shtalartësinë e nuk është problem. Por janë këto gjërat e vogla që të çojnë te e madhja për mirë apo keq. Pastaj duhet të eliminojmë gabimet individuale, që duhen eliminuar sa më shpejt, duhet punë, të dëgjojmë vërejtjet. I them ekipit që punojmë gjithë javës, me video analiza, e pastaj kur vjen dita e ndeshjes duket sikur punojmë kot ndonjëherë.
Me fatin unë apo ekipi nuk hamë inat, ne duhet të bëjmë gjërat drejt si me top, si pa top. E kishim përgatitur që të dilnim sa më shpejt në krahun e kundërt. Ne prapë i shkuam Laçit te porta, goditëm traversën, priti portieri. Unë nuk mërzitem nga kjo, por kur bëhen gabime individuale, normale që mërzitesh. Ose kur bëhemi tolerantë te goli i parë dhe i dytë, se po i shihnim që Laçi bënte kala dibrançe, edhe ne, pse të mos e bëjmë edhe ne? Ia eliminonim golat kundërshtarit apo faull taktik te goli i dytë dhe do ishte gjithçka ok.
E para kemi mungesa, dy mungesa të rëndësishme. Toma dhe Peposhi me Dinamon në të njëjtin pozicion kanë bërë ndeshje të mirë. Probleme kemi në mbrojtje se ekipi është mësuar me tre mbrapa dhe kur luajmë me katër… Por e them nuk ishim në rrezik, skemat janë numra kot. Kur spostoheshim në rregull, Laçi luante me top të gjatë ose me diagonale. Ne kishim kohë të spostoheshim, por e thashë që jemi tolerant. Nuk duhet të jemi kaq shumë me kundërshtarin, kur na kapin në tranzicion ka faulle taktike, merr karton dhe jemi ok, se përndryshe nuk kishim rrezik nga Laçi.
Zogos dhe Kotobelli ishin me kartonë ose të dëmtuar, ose Danielin e kishim luan apo jo, në momentin e fundit e shënuam në protokoll.
Te goli i dytë u vra ndeshja, para golit të dytë të Laçit ne humbëm rast me Tomën. Nuk ankohem asnjëherë me raste, ne shkojmë aty. Dua që të bëjmë gjërat drejt. Nuk jam në mendjen e Tomës. Ne e çojmë aty, pastaj i bie me të brendshmen apo të jashtmen, nuk jam unë Toma.
I zhgënjyer apo jo nuk ka rëndësi, i flas me çunat si të përmirësohemi, këtë punë kemi dhe ti rrisim nga ana profesionale. Janë gjëra që janë brenda familjes, jam i zhgënjyer apo jo, thjesht do të rregullojmë gabimet si repart e individuale dhe do jemi ok, plus të na kthehen lojtarë dhe kishim probleme në formacion e stol.”, tha Devolli për RTSH pas ndeshjes.