Berat Gjimshiti ishte protagonisti i suksesit 5-0 të Atalantës ndaj Veronës duke dhuruar edhe një nga asistet për golat e Mateo Reteguit.

Sulmuesi shënoi 4 herë në portën kundërshtare dhe është tashmë golashënuesi më i mirë i Serisë A me 20 gola, i shkëputur ndjeshëm nga të gjithë ndjekësit.

“A shënon kështu edhe në stërvitje? Shihet edhe në stërvitje, atij i mjafton pak për të shënuar gol. Po punon shumë dhe frytet shihen në ndeshje. Nëse shënon, jemi të lumtur edhe ne”, tha pas ndeshjes Gjimshiti për shokun e skuadrës i cili po spikat në këtë pjesë të sezonit për bergamaskët.

Skuadra e Atalantës po lufton në shumë fronte, por ka qenë e përgjysmuar për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme me lojtarë të rëndësishëm si Skamaka e Skalvini që kanë humbur tashmë pjesën e mbetur të sezonit. “Sigurisht kemi shumë lojtarë jashtë, por edhe kundër Torinos kemi luajtur mirë, ndërsa ndaj Bolonjës mund të ishte barazim. Skuadra është, po reziston dhe është gjithmonë prezente”, tha mbrojtësi shqiptar për mediat italiane pas ndeshjes së sotme.