Ian Soler është në luftë me kohën për të qenë në fushën e lojës. Lojtari ka vazhduar të provojë të stërvitet, por ka dhimbje në kavilje.

Në këto kushte, gjasat janë që ai të aktivizohet ndaj Skënderbeut, pasi të bëjë një injeksion për dhimbjet. Gjithsesi, ky veprim nuk pëlqehet nga drejtuesit, pasi mesfushori mund të rëndojë situatën e dëmtimit. Për spanjollin do të pritet deri ditën e diel. Nga ana tjetër, për takimin ndaj korçarëve, porta se do të mbrohet nga Selmani. Mbrojtja do të jetë e përbërë me Vera, Dembele, Kola dhe Meta. Mesfusha me Rafael, Smaçin dhe ndoshta Soler ose Abah.

Në sulm treshja Bajroviç, Zharmuni e Ernest. Në stol, veç të rinjve do të ketë Prengajn, Mihanën e Harizajn. Tirana do të presë Skënderbeun në “Elbasan Arena”. Sfida e vlefshme për javën e 25-të të Superiores do të luhet të dielën në orën 16:30. Të dyja klubet kanë rënë dakord për zhvillimin e ndeshjes në Elbasan.

Kështu bardheblutë rikthehen sërish atje, pasi kishin pritur përballjen me Elbasanin në “Niko Dovana”. Ky duel për mbijetesën është mjaft delikat. Aktualisht Skënderbeu mban vendin e fundit me 3 pikë më pak se Tirana e parafundit.