Numri 10 (dhjetë) mund të duket si numër i vogël, krahasuar me punën që Tifozat Kuq e Zi kanë bërë. Kur përmendet emri i tyre, na duket se ata janë “të vjetër” sa vetë rrënjët tona si komb. Në fakt të qenit “tifoz kuq e zi” nuk ka përbërë ndonjë risi edhe përpara 10 viteve, por vetëm se është “zyrtarizuar” si një fole ku mblidhen shqiptarët nga të katër anët e globit ku ata jetojnë.
Grupimi më i madh që ndjek në mënyrë të organizuar ndeshjet e Kombëtares shqiptare të futbollit organizoi një ceremoni ku pati mes shumë mysafirëve edhe ish lojtarë të Kombëtarës,lojtarë të tanishëm, dhe personalitete e personalitete publike të sportit e gazetarisë.
Me një numër të madh anëtarësh të shtrirë nëpër të gjitha trojet etnike shqiptare, Tifozat Kuq e Zi kanë sfiduar politikat ditore në Tiranë e Prishtinë të cilat e kanë të vështirë të ndajnë një fond për trevat e ngelura tani për tani jashtë trungut siç janë Ilirida, Malësia apo edhe Lugina e Preshevës.
Në vitin 2004 pas ndeshjes me Greqinë, kur edhe emri i tyre doli më tepër në pah, ata tashmë kishin krijuar disa këngë dhe një moto të tyren “O sa mirë me qenë shqiptar”. Thirrjet e dhjetëra djemëve e vajzave rrugëve të Tiranës në fillim ngjanin si diçka euforike prej adeleshentësh apo edhe si ide tashmë të konsumuara, dhe si të tilla ishin të habitshme për shumëkë.
Shumë shpejt u pa se ky është një organizim serioz, duke shtyrë shumë njerëz të besojnë tek ta. Politikanë e grupe të interesit “u vërsulen” drejt tyre, përqafuan idetë e tyre, i ( keq)përdoren ato duke u thirrë madje edhe në emër të tyre, por të gjitha këto ishin jetëshkurtëra.
Shpesh kemi parë klube të ndryshme nëpër botë, të cilat kanë edhe mbështetësit e tyre zyrtar që udhëtojnë në çdo ndeshje, por me TKZ ndodhte ndryshe, ishin pothujse tifozët e vetëm në botë që ndjekin rregullisht një Kombëtare.
Duke parë forcën reale të Kombëtares sonë, shpesh jemi zhgënjyer me rezultatin e futbollistëve në fushën e lojës, ose edhe me vet impenjimin e tyre, por për një gjë jemi ndier krenar dhe fitmitar , për ata në shkallët e stadiumit që nuk rreshtin asnjëherë së kënduari për Shqipërinë, për Kombëtaren, pavarësisht rezultatit, pavarësisht kushteve atmosferike, pavarësisht se ishim në cilësinë e pritësit ose të mysafirit.
TKZ-ja nuk e zbuloi “Shqipërinë Etnike”, por e aktualizoi më tepër sesa çdokush. Ata vërtetë në shumicën e rasteve ishin krenaria e vetme.
Tashmë të gjithë thënien “O sa mirë me qenë shqiptar”, por shpesh, sidomos kur luajmë si mysafirë kemi frikë nga paragjykimet, edhe heshtim së treguari se kush jemi, prej nga vijme. TKZ e ka bërë të kundërtën, në shumicën e stadiumeve ku ka marrë pjesë jo rrallë ka marrë edhe duartrokitje nga tifozët vendas pas ndeshjeve, dhe është vlerësuar lartë paraqitja nga opinion mediatik i huaj.
Gjatë kësaj dekade të mbushur me sfida, TKZ ka qëndruar stoike përballë “furtunave” që kanë dashur të përfitojnë në kurriz të kauzës së tyre. Pavarësisht kësaj, ata nuk janë ndalur por kanë vazhduar të mbajnë besën e lidhur pa anuar nga ndonjë krah politik ose ndonjë grup tjetër interesi. Synimi i tyre është po ai i fillimit ndërsa që numri i atyre që i janë bashkangjitur ka njohur vetëm rritje.
Urime!
Dhjetë
Nga Petrit Osmani