Pas ngjarjes së ndodhur në fund të ndeshjes Shkumbini-Veleçiku, me arbitrin Klajdi Kolaj të dhunuar nga lojtari i peqinasve, Isai, ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit, që dënon aktin dhe sidomos ka paraljamëruar ndëshkim:

“Federata Shqiptare e Futbollit reagon me forcë karshi dhunës në drejtim të arbitrave, më konkretisht në episodin e shëmtuar të ndodhur sot në përfundim të ndeshjes mes Shkumbinit dhe Veleçikut për playoff-in e Kategorisë së Parë, ku një futbollist i Shkumbinit ka goditur me grusht arbitrin e takimit.

Kjo ngjarje është tërësisht e papranueshme, dhe do të marrë ndëshkimin e duhur në bazë të Kodit të Disiplinës Sportive.

Dhunimi në fushë i arbitrit të takimit, dhe veprimi antisportiv e tërësisht ekstrem i futbollistit peqinas është totalisht i dënueshëm dhe meriton ndëshkim të rëndë nga organet disiplinore.

FSHF nuk do të tolerojë asnjëherë, askënd dhe kërrkënd që provokon, nxit dhe ushtron akte dhune në fushat e futbollit.

Të tilla ngjarje nuk i përkasin lojës së futbollit dhe si të tilla kërkojnë ndëshkimin e merituar”./sport-ekspres/