Opinion nga Redan BUSHATI

Dhunuesi, i cili për disa vite me radhë ka përdhunuar, përçudnuar, përdhosur e deri shkatërruar e uzurpuar, duke përfituar nga viktimat e tij, i ndihmuar mes të tjerash edhe nga shtypi servil e i paskrupull, tashmë na shfaqet me një paraqitje të tillë, prej viktime të pafajshme.


Ndërkohë që as ai vetë nuk u beson atyre çka pohon përpara sejmenëve të tij, që me orë të tëra humbasin duke u orvatur pas «padronit» ngado ai shkon; sigurisht, të gjorët, duan të përfitojnë gjëkáfshë!
Dhunuesi nuk ka as farë, as familje e as fis. Zotëria e tij, dhunuesi, nuk njeh asgjë tjetër, veç kënaqësisë që ai përfton nga dhunimi sistematik i viktimave të tij – sa vite ai qëndron aty ku është, i patundur, numri i tyre sa vjen e shtohet.
Shumë prej nesh, më të prapambeturit e kontinentit plak, akuzojmë herë-herë nën zë dhunuesin, pa u përpjekur për të marrë guximin të ngrejmë kokën, jo aq ndofta nga frika, sesa nga një stepje psikologjike allashqiptarçe, e cila tenton të mbyllet gjithnjë e më tepër brenda gjërave më personale e të lidhura ngushtësisht me familjen bërthamë: pa arritur dot të gjykojmë më tutje se nesër, nga heshtja jonë, mund të bëhemi viktima më e pamëshirshme e dhunuesit në fjalë.
Ka edhe një pjesë që duke pasur interesa të lidhura me dhunuesin, vjen një kohë që besojnë verbas se veprimtaria e tij është e tillë: rezultative, kombëtare e tepër pozitive. Ky soj, duke qenë i paktë, nuk përbën ndonjë shqetësim kushedi se çfarë. Taksirati më i madh vjen nga një heshtje mortore, më e kobshme se vdekja, e cila nuk synon të thyejë qetësinë, duke mos ngritur zërin kundër dhunuesit, edhe pse duke qenë të vetëdijshëm se ai është i tillë, padashje bëhemi përkrahës të tij, në mos më tepër dhunues se ai. Pse? Sepse dhunuesi ndjen kënaqësi, sipas mënyrës së tij, nga viktimat, ndërsa të pazëshmit, me heshtjen e tyre, mbështesin kënaqësinë e dhunuesit dhe flijimin e viktimës. Kështu, krijohet një ndërlidhje dhe rrethi vicioz, ku dhunuesi bashkëjeton brenda të njëjtit komunitet me viktimat e tij dhe publikun në mënyrë krejt të paqtë; vendi, jeta dhe gjërat nuk ecin më tutje, gjithçkaja njeh arritjen asgjënë.
Saktësisht nuk e di historinë familjare dhe personale të Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit, Valon Behramit apo Blerim Xhemailit dhe Admir Mehmedit (pesë shqiptarët, që luajnë për kombëtaren helvete) për të gjykuar pozicionimin e tyre, antikombëtar, sipas patriotëve dhe pjesës më të madhe të tifozerisë shqiptare. Por unë kam guximin, ngaqë e dua të vërtetën dhe se kam qëndruar përherë mënjanë interesave të ulta e të pista, t’iu tregoj atë çka edhe ju fort mirë e dini, edhe pse të shumtët nga ju heshtin. Këtë të vërtetë të madhe, këtë fakt të pranishëm kudo, e njeh edhe vetë kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, edhe pse tashmë është radhitur në krahun e «engjëjve mbrojtës», ndofta i nisur nga një gjykim i shpejtë subjektiv, të dhunuesit; e vërteta është kjo: “Në ekipet kombëtare të të gjitha moshave ka së paku dhjetë vite që jepen ryshfete apo «dhurata» për të luajtur”.
Cana në këtë rast, edhe pse i preferuari im dhe beniamin i tifozëve kuqezi, me komentin e tij mohues, pas ndeshjes me helvetët në Lucernë, ndaj deklaratës së të atit (Ragipit) të futbollistit G.Xhaka, që luan me Zvicrën, se “në ekipin kombëtar të Shqipërisë jepen para”, pandërgjegjmërisht është bërë palë me dhunuesin e dalzotës i tij kundra viktimave të shumta, që sot, natyrisht një pjesë, luajnë kudo gjetkë, vetëm me kombëtaren shqiptare, për Shqipërinë, jo!