Trajneri Gennaro Gattuso kërkon një sulmes të fortë për të forcuar repartin e avancuar dhe dhurata e parë e Fondit Elliot për AC Milan këtë verë mund të jetë sulmuesi i Chelsea-t, Alvaro Morata.
Spanjolli u bashkua me blutë e Londrës nga gjigantët e La Liga, Real Madrid verën e kaluar, për një pagesë prej rreth 60 milionë sterlinash, por ai nuk ka arritur të gozhdojë një vend për veten e tij në ekipin e parë, pavarësisht se ka shënuar 11 gola në Premier League.
25-vjeçari ishte një dëshirë e ish-trajnerit Antonio Conte, por pas largimit të italianit edhe spanjolli mund të ketë të njëjtin fat. “Tuttosport” raporton se Fondi Elliot do të kërkojë të nënshkruajë me ish-sulmuesin e Juventusit këtë verë dhe spanjolli mund të jetë dhurata e parë e pronarit amerikan për kuqezinjtë.
Milani do të marrë pjesë në Europa League, pasi CAS hodhi poshtë dënimin e UEFA. Kuqezinjtë pritet të përforcohen në disa reparte, por sulmi është thembra e Akilit, pasi gjatë edicionit të kaluar Milani ka vuajtur shumë për një sulmues goli.
Megjithatë nuk është vetëm Morata në fokusin e “Djallit”. Sipas “Sky Italia”, Milani ka rënë dakord me kushtet personale me sulmuesin francez të Real Madridit, Karim Benzema.
Ndoshta “Djalli” mund të përforcohet me të dy dhe të shesë sulmuesit që ka në dispozcion. Gonzalo Higuain është gjithashtu një objektiv, por argjentinasi është më afër kalimit te Chelsea për shkak të pranisë së trajnerit Maurizio Sarri në “Stamford Bridge”.
Është thënë se Milani mendon për ish-yllin e “Zonjës së Vjetër”, pasi ai i përshtatet faturës për ta dhe një marrëveshje e përafërt tashmë është arritur me 25-vjeçarin.
Afrimi i tij do të ishte një goditje e madhe për kuqezinjtë në merkato, që deri tani kanë afruar vetëm disa lojtarë me parametër zero, por asnjë emër të madh. /EDS/