Ai e meriton dhe, tri vite pas largimit të Bastian Shvajntaigerit, Bajerni do t’i japë zyrtarisht lamtumirën 33-vjeçarit. Më 28 gusht, klubi i legjendës gjermane, Çikago, do të vijë në Mynih për miqësoren që do organizohet për nder të tij. Shvajni u transferua nga Junajtid te Çikago në 21 mars 2017. Dhe pak ditë më parë ai rinovoi për të qëndruar edhe një sezon në MLS.

“Shvajni ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme te Bajerni duke ndihmuar në krijimin e një epoke shumë të suksesshme për klubin. Për shkak të personalitetit të tij të shkëlqyer, ai do të jetë gjithnjë një pjesë e rëndësishme e familjes bavareze.

Donim t’i thoshim lamtumirë nga Bajerni me një ndeshje një lojtari që e meriton kaq shumë”, tha shefi i klubit, Rumenige.