Vllaznia ka marrë një 3-pikësh të artë në takimin me Korabin në Peshkopi në startin e fazës së dytë. Skuadra shkodrane ka arritur që të fitojë në minutat e fundit të takimit pas një goli të shënuar nga kapiteni Gilman Lika. Por, ai që shënoi golin e parë të këtij takimi për kuqeblutë, mbrojtësi Olsi Gocaj, e vlerëson shumë pozitive fitoren e arritur në këtë përballje. Për çdo skuadër dhe për më tepër edhe për Vllazninë, transferta me Korabin cilësohej si tepër e vështirë.

“Ishte një fitore shumë e merituar nga ekipi ynë. Pavarësisht se vumë në pikëpyetje fitoren, sërish mund të them se ky ishte rezultati më i drejtë i kësaj ndeshjeje. Në pjesën e parë mendoj se mund ta mbyllnim takimin dhe nuk do të kishim qenë aq të shqetësuar sa ishim deri në fund të tij. Mendoj se, përveç penalltisë së humbur, kemi pasur edhe tre-katër mundësi të tjera që të dyfishonim rezultatin, por nuk kishim edhe fatin me vete.

Ndërsa, në të vetmin aksion të lojtarëve të Korabit në portën tonë jemi ndëshkuar. Në pjesën e dytë e kërkuam dhe e gjetëm vetëm në fund rezultatin që dëshironim. Mendoj se ishte një 3-pikësh me shumë vlera për sa i përket ecurisë. Takimet në transfertë sa vijnë dhe vështirësohen”, u shpreh Gocaj.

PENALLTIA – Gocaj është një nga lojtarët më të saktë në goditjet nga pika e bardhë për ekipin shkodran. Ai nuk ka humbur asnjë të tillë kur i është ngarkuar që të marrë përsipër një ekzekutim të tillë. Madje, edhe në përballjen e fundit ai mësohet të ketë qenë i caktuar që të godiste nga pika e bardhë nëse kuqeblutë do ta fitonin atë. Mirëpo, në takimin ndaj Korabit ekzekutimin e 11-të metërshit e mori përsipër braziliani Xhunior, i cili e humbi. I pyetur pse nuk ishte sërish Gocaj në momente të tilla, lojtari shprehet:

“Faktikisht, unë isha i ngarkuar që të godisja penalltinë. Ma kërkoj Xhunior që të godiste ai dhe pasi ramë dakord edhe me drejtuesit, e gjuajti ai. Nuk ishte e thënë që të shënonte. Do të ishte bukur që ai të kthehej sërish te goli. Ishte një marrëveshje për këtë gjë, por që na ndërlikoi tek arritja e fitores. Por, unë e thashë edhe më lart, ne kishim mundësi që të shënonim edhe më tepër gola në këtë takim, sidomos në pjesën e parë. Penalltia ka edhe fatin brenda”.

VAZHDIMËSIA – Të gjithë në kampin shkodran janë të bindur se Vllaznia do të jetë në fund të këtij sezoni në Superiore. Por, nga ana tjetër janë të bindur se asnjë përballje të këtij sezoni sidomos në transfertë nuk do ta kenë të lehtë. “Çdo takim për ne do të jetë i vështirë, sidomos në transfertë.

Por, për mendimin tim dhe të gjithëve nuk ka asnjë dyshim se ne do të jemi në fund të këtij sezoni në Superiore. Edhe ndaj Burrelit nuk ka asnjë dyshim që objektivi i vetëm do të jetë marrja e tri pikëve të radhës”, deklaron mbrojtësi kuqeblu, Olsi Gocaj.