“Topi i Artë” i fituar nga Lionel Mesi të hënën në mbrëmje në Paris ka ngjallur debate dhe polemika.

Pjesa më e madhe e opinionistëve kanë qenë dakord me trofeun e fituar nga argjentinasi. Por ka pasur dhe kritikë që kanë dalë kundër. Njëri prej tyre ishte legjenda e Bajernit dhe Gjermanisë, Lotar Mateus.

Duke komentuar suksesin e arritur nga Mesi, ai e ka cilësuar “një farsë”. Sipas Mateusit, “Haland ishte lojtari më i mirë i 12 muajve të fundit, duke fituar tituj të rëndësishëm me Sitin dhe duke thyer rekorde golashënuesish”.

Kjo deklaratë e Mateusit nuk është pritur mirë nga Di Maria, që ka reaguar në rrjetet sociale. Kampioni i botës së bashku me Mesin në “Katar 2022”, pa përmendur Mateusin, ka lëshuar një “silurë” në rrjetet sociale, që i adresohet gjermanit: “Çfarë qaramani”!