Që prej fillimit të kësaj jave në Shkodër ka mbërritur një specialist I njohur Italian I futbollit të moshave. Ermano Di Maria punon si trajner moshash tek klubi i njohur i Torinos dhe po ashtu, drejton një shkollë futbolli të specializuar për përgatitjen individuale të futbollistëve.

Ai ka ardhur me ftesë të shoqatës “Atletik Klub” dhe është duke punuar me fëmijë të përzgjedhur të saj por edhe të ekipeve të tjera të moshave në qytetin tonë. Në një prononcim për televizionin Rozafa, specialisti italian vlerëson përgatitjen e futbollistëve të vegjël shkodranë.

“Shoh që niveli i fëmijëve këtu është i kënaqshëm. Lojtarët kanë dëshirë të mësojnë dhe patjetër që niveli i tyre do të vijë duke u rritur. Në krahasim me moshatarët e tyre në Itali, janë në një nivel diçka më lart sesa mesatarja.

E rëndësishme është që ata të punojnë si duhet sepse në këtë moshë marrin përgatitjen e duhur ndërkohë që vetëm pasi të kenë mbushur 16 vjeç mund të evidentohen dhe të bien në sytë e menaxherëve dhe ekipeve të tjera”- është shprehur Di Maria.

Ndërkohë, për drejtuesin e “Atletik Klub” Elton Bungaja, ky bashkëpunim me këtë trajner por edhe me të tjerë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Ardhja e këtij trajneri të njohur që punon edhe në klubin e Torinos përveçse drejton një shkollë futbolli të specializuar për stërvitjen individuale të sportistëve, është një objektiv për të mësuar më shumë prej tij dhe shkollës italiane të futbollit që përfaqëson.

Përpos kësaj, në një të ardhme të afërt, këta fëmijë mund të kenë një mundësi më shumë për të lëvizur në vende të tjera.

Padyshim që duhet shumë mundësi por ne kemi dëshirë që të tilla bashkëpunime të vazhdojnë edhe në të ardhmen edhe me trajnerë të tjerë. Në këtë kamp stërvitor kanë marrë pjesë jo vetëm elementët më të përzgjedhur të Akademisë tonë por edhe nga ekipe të tjera të moshave të Shkodrës.

Secilit i është dhënë mundësia për të përfituar nga trajneri italian dhe besoj se ia ka vlejtur një gjë e tillë”- ka thënë Bungaja.

“Atletik Klub” është një nga shoqatat sportive në Shkodër që po punon në një mënyrë shumë bashkëkohore me elementin e ri dhe jo vetëm që nuk po i mungojnë rezultatet por po sheh edhe më tej për rritjen e bashkëpunimit me klube dhe specialistë të ndryshëm jashtë vendit.
www.shkodrasport.com