Një vit më parë gjendja e Paulo Dibalës te Juventusi ishte po aq delikate sa edhe sot. Klubi kërkonte ta shiste, por duke mos pasur oferta në lartësinë e futbollistit, ai mbeti në Torino duke rezultuar në mes më pozitivëve në sezonin që sapo u mbyll. Tashmë argjentinasi pretendon një trajtim siç e meriton dhe kontrata në skadencë në vitin 2022 i detyron drejtuesit që të ulen në bisedime për të mos e humbur pas dy sezonesh pa fituar asgjë.

Megjithëse nuk ka asnjë konfirmim zyrtar në këtë aspekt, Dibala ka qenë i qartë me klubin duke kërkuar një pagë më të lartë sesa 8 milionë eurot sezonalë që merr aktualisht Matajs De Ligt. “La Joya” arkëton 7.5 milionë euro dhe mësohet të ketë kërkuar 20 milionë euro për të firmosur akordin e ri me “Zonjën e Vjetër”.

QËNDRIMI BARDHEZI – Rroga e kërkuar do ta bënte Paulo Dibalën lojtarin e dytë më të paguar të Juves, por edhe të Serisë A. Në fakt, me 20 milionë euro në vit, 26- vjeçari do të paguhej më pak se vetëm Ronaldo që nga Juventusi çdo vit merr 31 milionë euro. Kërkesa e Dibalës konsiderohet e tepërt dhe duket si përsëritja e skenarit të verës së kaluar kur klubi nisi të mendonte për shitjen e numrit 10. Për tifozërinë është i paprekshëm, por merkatoja kërkon investime dhe likuiditet, çka mund të arrihet vetëm duke shitur djaloshin nga Rosario.

NË TREG – Siç thamë, kontrata e Dibalës skadon në verën e 2022-shit dhe në atë kohë sulmuesi do të jetë 28 vjeç, në kulimin e pjekurisë së tij futbollistike. Juvja nuk mund të rrezikojë ta humbë pa përfituar, ndaj kontrata duket si një detyrim. Por ja që ka edhe dy rrugë të tjera. Po flasim për shitjen e futbollistit dhe drejtuesit bardhezi do të kënaqeshin me një arkëtim rreth 90 milionë euro. Alernativa e dytë është shkëmbimi me Iskon, një profil shumë i pëlqyer edhe nga trajneri Pirlo.

Madrilenët e vlerësojnë 60 milionë euro mesfushorin, çka do të bënte që nga ky operacion Juvja të arkëtonte vetëm 30 milionë euro. Kjo shumë cilësohet e paktë e nuk kënaq askënd në Torino e rrethina, ndaj gjetja e një akordi me Dibalën duket si zgjidhja më e mirë. Çështja është që argjentinasi nuk është i gatshëm të pranojë rrogë nën 20 milionë euro, ndaj Nedved e Paratiçi duhet të mendojnë për një rrugëdalje në dobi të të gjitha palëve të përfshira në këtë situatë.