Krahu i djathtë i trajnerit Zmijani që nga dita e djeshme do të jetë Ilir Dibra. Të dy ata e njohin mirë njëri- tjetrin pasi kanë luajtur njëkohësisht tek Vllaznia dhe për koinçidencë, të dy në repartin e mbrojtjes. Dje, para gazetarëve 38 vjeçari i sapoemëruar zëvendëstrajner ka thënë: “Për mua është një kënaqësi shumë e madhe që t’i shërbej Vllaznisë. E kam bërë këtë me shumë pasion kur kam qenë futbollist dhe kuptohet që po e bëj edhe si trajner. Ofertës së saj kurrë nuk mund t’i thuash “jo”, madje do të isha i gatshëm të bëja çdo punë për të sepse jemi rritur me këtë skuadër dhe duam t’i shërbejmë sërish asaj”.

Dibra pas lënies së karrierës si futbollist ka nisur atë si trajner duke drejtuar fillimisht Tërbunin në kategorinë e dytë, më pas ka punuar tek Akademia Vllaznia si inspektor dhe më pas edhe si trajner i ekipit U-19 ndërsa kohët e fundit ka drejtuar ekipin e futbollit të femrave Juban Danja. Ekip të cilin e ka lënë tashmë edhe në mirëkuptim me presidentin e tij Ferdinand Jaku, për të vazhduar punën si zëvendëstrajner tek Vllaznia.

© shkodrasport.com