Diego Simeone u shfaq i kënaqur me përkushtimin dhe punën e lojtarëve të tij pas ndeshjes kundër Barcelonës. Trajneri i Atlético Madridit theksoi se skuadra e tij “reagoi mirë dhe konkurroi ashtu siç e kishim imagjinuar”, por pranoi se katalanasit patën atë dozën e fatit që duhet në rastin e devijimit të Lamine Yamal.

Tekniku argjentinas, i cili përgëzoi kundërshtarin, tha për ‘DAZN’ se “lodhja nuk ndikoi te ne, sepse provuam të sillnim energji të re me zëvendësimet”. Ai gjithashtu zbuloi se Julián Álvarez kishte kaluar një natë të vështirë me temperaturë dhe shqetësime fizike, por gjithsesi bëri një paraqitje të shkëlqyer.

Simeone pranoi se Atlético Madridi pati disa raste për kundërsulm, që nuk i shfrytëzoi, ndërsa vlerësoi rivalin: “Barcelona është një skuadër e madhe. Tani duhet të vazhdojmë të punojmë. Nuk mund t’iu kërkoj më shumë lojtarëve të mi, sepse kanë dhënë gjithçka”.

Ai gjithashtu beson se ekipi i tij vazhdon të jetë në garë: “Skuadra po konkurron, kemi nevojë për fitore. Kemi një mundësi për të arritur në finalen e Kupës dhe do të luftojmë deri në fund për kampionatin. Dy kryesuesit ende duhet të luajnë mes tyre”.

Trajneri i Atlético Madridit kërkoi që skuadra e tij të ruajë fokusin edhe për kualifikimin në Champions League: “Duhet të shohim edhe pas nesh, që të mos na kapin rivalët. E rëndësishme është të jemi në Champions. Tani fokusohemi te ndeshja kundër Espanyolit, të pushojmë dhe të pranojmë situatën në të cilën ndodhemi”.

Pas ndeshjes, Marcos Llorente e përshkroi sfidën si një ndeshje “të çuditshme”: “I kishim nën kontroll, arritëm të shënonim dy gola, por na rënduan 120 minutat e Champions League. Në fund nuk kishim më fuqi për të bllokuar krosimet e tyre”.

Ai shprehu keqardhjen që avantazhi i dy golave u shua shumë shpejt: “Kishim një epërsi të mirë prej dy golash, por që zgjati vetëm një minutë. Është zhgënjyese. Ata u shtynë përpara dhe e vërteta është se ndeshja e mesjavës na lodhi shumë. Ekipi ra në intensitet”.

Megjithatë, ai siguroi se Atlético Madridi nuk do të dorëzohet për titullin: “Do ta synojmë titullin deri në fund. Gjithçka ndryshon, një muaj je mirë dhe një tjetër ke vështirësi. Do të vazhdojmë me të njëjtën ambicie dhe entuziazëm”./telesport/