Sven Goran Erikson, dikur një nga emrat më të njohur të trajningut në botë, nuk po di se si të kthehet përsëri një personazh i rëndësishëm në këtë sport.

Dëshira e tij e madh për të drejtuar në nivelet më të larta e shtyu që të kërkonte në vitin 2017 edhe pankinë e Shqipërisë, pas largimit të Xhani De Biazit.

Por Armand Duka, edhe pse suedezi ishte gati të drejtonte falas pasi kishte fituar dhjetëra milionë euro në drejtimin e skuadrave e përfaqësueseve gjatë karrierës, vendosi që t’i besonte Panuçit asokohe duke menduar se me Erikson nuk do të kishte të ardhme për shkak të moshës së tij. Erikson drejtoi më pas  përfaqësuesen e Filipineve, por nuk ishte karrierë e suksesshme dhe kërkoi me çdo kusht që të siguronte një firmë në Europë apo ën Amerikën e Jugut.

Oferta i erdhi, por jo nga ato që mendonte suedezi, i cili gjithsesi e ka pranuar. Ai do të marrë drejtimin e Botafogo PB, një klub i kategorisë së tretë braziliane, i cili ka bërë të ditur se ka bindur suedezin të ulet në pankinë.

Në fakt, ka qenë vetë Erikson ai i cili ka kërkuar që të nise këtë aventurë në ligat e ulëta braziliane, me shpresën që shpejt të tërheqë vëmendjen e emrave të mëdhenj të kontinentit. /vipsport/