Vite më parë Sopoti i Librazhdit militonte edhe në kategorinë më të lartë të futbollit shqiptar, madje ka patur raste që ka fituar edhe ndaj Vllaznisë. Por sot është histori tjetër. Në fund të sezonit të kaluar ka qenë “Vllaznia B” që i dha shtytjen për në kategorinë e dytë pasi e mundi në ndeshjen e play- out-it që u luajt në Lushnjë. Por ekipet e Shkodrës po e “zhysin” edhe më thellë në krizën e vet këtë ekip. Pasditen e sotme ka qenë rradha e Adës së Velipojës për t’i dhënë një tjetër goditje. Në ndeshjen e rradhës të vlefshme për kampionatin e kategorisë së dytë, atë të luajtur pasditen e sotme në Velipojë, vendasit kanë fituar me rezultatin 3-1.

Puka ka shënuar i pari, që në minutën e 10-të duke kaluar në avantazh Adën. Më pas, në minutën e 22-të kanë barazuar librazhdasit por vetëm për pak kohë. Dy minuta më vonë do të ishte Myftia që do të rikthente në avantazh velipojakët ndërsa po ky futbollist në minutën e 81-të do të kthente në gol një 11-metërsh të dhënë në favor të ekipit të tij dhe kësisoj ai ka shënuar golin e tij të dytë personal dhe të tretin për Adën që kësisoj mbylli edhe krejt ndeshjen. Trajneri Zamir Lumani e ka nisur ndeshjen me këtë formacion sot: Hila, Çapaliku, Çoçja, Puka, Mesi, Hasa, Myftia, Limoni, Dibra, Brigja dhe Galica. Me fitoren e sotme, Ada është ngjitur në kuotën e 15 pikëve duke mbajtur vendin e pestë në renditje. Një pozicionim shumë komod duke pasë parasysh problemet me të cilat e nisi sezonin kjo skuadër. Megjithatë ardhja e drejtuesve të rinj sëfundmi duket se ka ndryshuar shumë gjëra për mirë dhe madje velipojakët do të tentojnë të ngjiten edhe më lart në renditje.

© shkodrasport.com