Haris Dilaver ishte sërish vendimtar, teksa të shtunën shënoi golin e 9-të me fanellën kuqeblu, duke i dhënë një fitore shumë të rëndësishme Vllaznisë kundër Skënderbeut. Edhe një ditë para ndeshjes me korçarët, sulmuesi boshnjak në konferencën për shtyp kishte parashikuar se do të shënonte dhe do t’ia dedikonte golin vajzës së tij të porsalindur.

“Goli normalisht që shkon për vajzën time, por edhe për Mevlan Adilin, i cili ka bërë një sezon shumë të mirë, por gaboi në rastin e golit të parë. Gjithsesi, të gjithë bashkë reflektuam dhe fituam. E merituam, edhe pse na u vështirësua shumë”, ka thënë fillimisht Dilaver.

POZICIONI

Qendërsulmuesi 31-vjeçar ka folur edhe për pozicion që aktualisht ndodhet Vllaznia. I pyetur nëse do të vijojë që të jetë skuadra kryesuese deri në fund, Dilaver u tregua i përmbajtur. “Së pari duhet të pranojmë se kaluam një ndeshje të vështirë, sidomos në aspektin psikologjik. Megjithatë, ne bëmë më të mirën dhe tani po shohim vetëm përpara te takimi i radhës. Duhet të vazhdojmë kështu, por në këtë moment nuk mund të bëjmë parashikime”, theksoi boshnjaku.

TIRANA

Vllaznia luan të mërkurën në kryeqytet përballë Tiranës një ndeshje shumë delikate, për vetë faktin se edhe kundërshtari vjen pas një fitore ndaj Teutës dhe kërkon ta rihapë garën. Sipas sulmuesit, kjo është një ndeshje që duhet kaluar me sukses.

“Të gjitha ndeshjet kanë rëndësinë e vet. Ne do të japim maksimumin edhe në këtë takim ndaj Tiranës. Është një kundërshtar që duhet respektuar, pasi po kalon gjithashtu një formë të mirë. Unë besoj se do të vijë edhe rezultati që kërkojmë, nëse bëjmë lojën tonë. Do të jetë një ndeshje e fortë, por do t’ia dalim”, deklaroi autori i nëntë golave me kuqeblutë.

MBËSHTETJA

Si në golin e shënuar ndaj Apolonisë, e po ashtu edhe në atë kundër Skënderbeut, skuadra shkodrane e ka mbështetur fort sulmuesin, që në këtë periudhë ka vuajtur jo pak. Në fund të fjalës së tij, Dilaver është shprehur optimist, se do t’ua kthejë këtë besim shokëve të ekipit me gola në vazhdimësi. “Ne jemi një ekip që punojmë fort për njëri- tjetrin dhe mbështesim në çdo moment shokët. Unë shpresoj që t’ia shpërblej me gola besimin dhe mbështetjen shokëve të mi”, përfundoi Dilaver.