
Vllaznia do të nisë nesër stërvitjet për gjysmën e dytë të sezonit. Pikërisht pasdite, të gjithë futbollistët duhet të jenë në dispozicion të stafit drejtues për të zhvilluar seancën e parë. Ajo do të zhvillohet në fushën sportive “Reshit Rusi” ndërkohë që ende nuk dihet saktësisht nëse stërvitjet e tjera të ekipit do të vazhdojnë të zhvillohen në Shkodër apo ai do të spostohet si zakonisht në Ulqin. Zhvillimi i fazës përgatitore në kushte të mira stërvitore sigurisht që është prioritet megjithatë sivjet kjo do varet edhe nga financat e klubit. Fakti që buxheti i Bashkisë për vitin 2014 nuk u miratua në dhjetorin e vitit që sapo lamë pas, ka lënë disi pezull edhe financat e klubit të futbollit Vllaznia, që është i varur drejtëpërdrejtë nga këto fonde që do të miratojë pikërisht institucioni i pushtetit lokal. Megjithatë në ditët në vazhdim me shumë siguri do ketë ndonjë lëvizje në këtë drejtim për të mësuar përfundimisht nëse faza përgatitore e janarit do të vazhdojë të zhvillohet në Shkodër apo do spostohet në Ulqin. E rëndësishme është që nesër do fillojë stërvitja. Seanca e parë madje mund të shoqërohet edhe me ndonjë emër të ri në rradhët e kuqebluve sepse pritet që të vijnë disa futbollistë për t’u provuar.
© shkodrasport.com