Pyetja që bëhet shpesh në Shkodër gjatë gjithë kësaj periudhe të fundit apo dhe më përpara është nëse ka lojtarë të rinj të talentuar apo jo. Dikush mendon që “po”, të tjerë thonë “jo”. Kuptohet që secili flet sipas interesave të tija. Ekipet e Akademisë Vllaznia prej vitesh janë kampione me grupmoshat, ekipi U-17 pardje festoi titullin e tretë rradhazi, po ashtu ekipi U-19 pat qenë edhe ai disa vjet kampion dhe sërish është në vendet e para të renditjes. Në kushte të tilla, përderisa me këto grupmosha ka sukses, duhet të ketë edhe lojtarë që t’I shërbejnë ekipit të parë. Aktualisht me skuadrën janë duke u stërvitur apo dhe janë huazuar në ekipe të tjera disa futbollistë 20-21 vjeçarë, për të cilët dy vjet më parë flitej me superlativa madje duke u konsideruar si brezi I ri më I talentuar I viteve të fundit që kishin dalë në Shkodër. Por në fakt, shumë prej tyre ende nuk kanë dhënë asgjë nga vlerat që disponojnë. Trajnerë apo dhe drejtues të klubit që kanë punuar me ekipin e parë, mendojnë dhe shprehen se këta futbollistë nuk kanë dëshirë për t’u stërvitur dhe për këtë arsye, nuk kanë bërë përpara në karrierën e tyre
Bushati. Shumë trajnerë e specialist e ngrenë me shqetësim mosdhënien e mundësive këtyre futbollistëve të rinj për të treguar vlerat e tyre. Në fakt, njëri e ka bërë këtë gjë në sezonin e fundit, pikërisht trajneri actual I kuqebluve. “Vllaznia është një skuadër, pjesë e një qyteti që gjithmonë bart vlera. Në kushte të tilla ka nxjerrë dhe vazhdon të nxjerrë futbollistë të talentuar. Megjithatë, nga kjo periudhë që unë drejtoj këtë ekip konstatoj disa gjëra. Së pari, pjesë e ekipit të parë janë futbollistë që nuk kanë motivin e duhur. Disa lojtarë që kanë ardhur para 2 vitesh tek ekipi I parë dhe sivjet janë 20-21 vjeç, nuk kanë arritur të bindin trajnerët dhe të jenë pjesë e formacionit. Unë vërej një përgjumje të tyre, mosmotivim aq sa duhet dhe për pasojë nuk më kanë bindur aq sa duhet. Të mos mendoni se do ju japë kush kaq shanse edhe në të ardhmen”- ka thënë Bushati. Ai gjithsesi nga ky grup futbollistësh të rinj, ka evidentuar Bardullën që tregoi vlera në fazën e dytë të kampionatit por edhe të riun tjetër, Krujën. Ky I fundit madje mund të themi se ka qenë zbulimi I Vllaznisë së këtij sezoni. Duke iu referuar fjalëve të Bushatit, ajo çfarë kupton është se ai si trajner nuk vëren motiv tek futbollistët e rinj.
Mbështetja. Mbase edhe mund të kenë të drejtë. Në çdo sezon vijnë trajnerë të ndryshëm të cilët duan të bëjnë eksperimente ndoshta me këtë ekip. Ndodh siç ndodhi sivjet kur Shpëtim Duro në fillim të sezonit kërkon të bënte 12 blerje!!! Në kushte të tilla, futbollistët e rinj që ishin pjesë e skuadrës sigurisht që nuk gjenin hapësirën e duhur në skuadër dhe e kuptonin se pavarësisht sesa mund të stërviteshin, nuk kishin vend në formacion. Bushati ndryshoi diçka në këtë drejtim në ndeshjet e fundit të kampionatit duke u dhënë mundësinë këtyre të rinjve të luajnë. Por natyrshëm që këta të rinj nuk kishte si të motivoheshin në fund të kampionatit. Në rrethana të tilla mbase mund të çojmë dëm një grup të tërë futbollistësh të rinj pa I provuar aq sa duhet. Pikërisht nga kjo, ka lindur edhe ideja e kohëve të fundit për të ndërtuar një ekip pa shumë pretendime për sezonin e ardhshëm por duke u mbështetur tek këta futbollistë të rinj. Bashkë edhe me disa shkodranë të tjerë më me përvojë dhe me 2-3 blerje cilësore, mund të ndërtohej sërish një Vllaznia për vend të gjashtë apo të shtatë nga sa po renditet tani, me ndryshimin e madh se do krijohej një skuadër për të ardhmen.
Gjergj KOLA