Besëlidhja do të zhvillojë ditën e sotme ndeshjen e rradhës për kampionat ndaj Dinamos. Skuadra lezhjane do të udhëtojë drejt Tiranës për t’u ndeshur në “Selman Stërmasi” me blutë e kryeqytetit.

Kjo e fundit konsiderohet si favorite, duke qenë se është një skuadër që vjen nga Superiorja dhe për më tepër, që synon rikthimin sa më shpejt në majat e elitës së futbollit shqiptar. Dinamo, e drejtuar nga trajneri Nevil Dede, ka në gjirin e saj disa futbollistë lezhjanë, duke nisur nga portieri Simon Simoni, Redon Danaj, Patrik Fetaj, Erisildo Smaçi, Françesko Daija, Alesio Preloshi dhe Aurel Marku, por edhe mesfushorin shkodran, Ersil Ymeraj.

Nga ana tjetër, edhe Besëlidhja pjesë të saj, ka disa lojtarë shkodranë të rëndësishëm, siç janë mbrojtësi Klejdi Dibra, Arlendo Dodani apo edhe mesfushori i njohur Samet Hepaj. Kujtojmë se, ekipi lezhjan drejtohet nga trajneri Alban Bruka.

Ndeshja Dinamo-Besëlidhja do të luhet ditën e sotme, duke nisur nga ora 12:30 në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet dhe do të transmetohet live në kanalet e platformës “OverSport”.
Maringlen ZHIVANI