Nga Maringlen ZHIVANI
Dinamo e Ferizajt po vazhdon rrugën e saj drejt synimit për t’u ngjitur në Superligën kosovare. Kjo skuadër mban vendin e dytë në renditje, teksa ka arritur të sigurojë deri më tani në kampionat pesë fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje.
Në ndeshjen e rradhës, atë të luajtur pasditën e djeshme në transfertë, skuadra e Dinamo Ferizajt ka arritur të fitojë me rezultatin e ngushtë 1-0 ndaj ekipit “Ramiz Sadiku”. Ndërkohë, pikërisht tek Dinamo e Ferizajt luan edhe portieri shkodran, Entoni Shkoza. Ai në ndeshjen e fundit, ruajti portën e tij pa pësuar gol, duke bërë që rrjeta e mbrojtur nga Shkoza të mos preket.
Në këtë mënyrë, shkodrani po spikat në kampionatin kosovar të futbollit me lojën dhe pritjet e tij. Ai, bashkë me skuadrën e tij duan të arrijnë objektivin aktual, ngjitjen e Dinamo Ferizajt një Kategori më lart dhe për ta arritur këtë, kuptohet që do të kërkojë ta mbajë akoma portën e tij të pathyer.
Shkoza është një portier i dalë nga Akademia e Vllaznisë, teksa ai ka qenë pjesë edhe e ekipit të parë. Ndërkohë që, sezonin e kaluar luajti për Tërbunin dhe pas kësaj aventure preferoi një transferim në Kosovë, pikërisht tek një ekip pretendent, siç është Dinamo Ferizaj, që synon të ngjitet një Kategori më lart./www.shkodrasport.com/