Dinamo e këtij sezo ni është ndërtuar për të fituar trofe dhe teksa ka mbetur një javë nga fundi i kampionatit, blutë janë brenda objektivave dhe madje nesër luajnë aktin e dytë të gjysmëfinales së Kupës kundër Vllaznisë.
Edhe pse në formë jomaksimale, Ilir Daja duhet të buzëqeshë sepse ka “fituar pjesët” dhe për këtë takim do të ketë pothuajse të gjithë lojtarët në dispozicion, diçka që kishte munguar në këtë muajin e fundit, ku shpeshherë trajnerit kryeqytetas iu desh që të improvizonte në formacion, por edhe të ndëshkohej shpesh, sidomos në ndeshjet e kampionatit. Gati do të jetë Mandela, Bregu apo edhe mbrojtësi i majtë Lorran, me këta dy të fundit që luajtën në Laç.
SITUATA
Në kalvarin e një muaji, Dinamo ka pasur luhatje të frikshme dhe ka treguar dy fytyra të ndryshme. Problemet filluan me pjesën e dëmtimeve, ku në fitoren ndaj Bylisit, blutë humbën Mandelën, sulmuesin kryesor, i cili ishte një pikë referimi përpara dhe me golat e tij i jepte pikë ekipit.
Ndërkohë që Bruno Dita nuk ishte në dispozicion, në derbin me Partizanin, Daja humbi edhe Lorran, një lojtar i cili u shfaq në formë shumë të mirë në krahun e majtë të mbrojtjes dhe madje u bë protagonist me disa gola. Pas derbit, edhe Bregu mori pushimet dhe ishte jashtë për shkak lëndimi dhe i mungoi “nëndetëses” për disa ndeshje.
Në katër takimet e fundit në kampionat, Dinamo humbi 4-1 në Korçë, barazoi me Teutën, humbi 3-0 me Vllazninë jashtë fushe dhe po ashtu e mposhtur doli nga transferta e Laçit. Megjithatë, kur bëhet fjalë për Kupën e Shqipërisë, takimi i parë gjysmëfinal ka përfunduar në barazim, blutë do të kërkojnë kualifikimin, ndërsa në Laç u rikthye edhe Bregu në fushë. Tashmë, me të gjithë “ushtarët” gati, Ilir Daja do të mundohet ta rikthejë në një finale Dinamon pas shumë vitesh.