Për ndeshjen me Vllazninë, që luhet ditën e hënë në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, trajneri Mehmeti pritet që ta ketë të plotë skuadrën.
Blutë nuk do të kenë mungesa për shkak kartonësh në këtë sfidë, ku kthehet sulmuesi Luis Kaçorri. Ai shleu dënimin në ndeshjen me Skënderbeun dhe pritet që ndaj shkodranëve të jetë sërish në formacion.
Po ashtu, deri ditën e hënë pritet që Dinamo të rikuperojë lojtarët që kanë pasur probleme fizike. Denison dhe Andoni sakrifikuan në transfertën korçarë, ku nuk ishin në gjendjen më të mirë fizike.
Braziliani nuk mundi të luante më shumë se 45 minuta, kurse Andoni, i cili fitoi edhe penalltinë që vendosi ndeshjen, luajti pak më shumë.
Edhe Qefalia është një nga lojtarët që nuk ka ende gjendjen optimal për shkak të një dëmtimi të mëparshëm. Ai u fut në fushë në pjesën e dytë ndaj Skënderbeut dhe tani është gati për të marrë më shumë minuta.