Faqja zyrtare e Dinamos ka mbetur ende tek urimi i ditëlindjes së mbrojtësit Alesio Mija. Më shumë se 10 ditë pa asnjë njoftim të ri.
Përjashtim bën këtu vetëm zgjedhja e trajnerit Nevil Dede për sezonin e ri, e konfirmuar nga presidenti Adrian Bardhi për gazetën.
Duket si një qetësi absolute te blutë e kryeqytetit, por në fakt drejtuesit e tyre janë duke punuar për kompletimin e grupit të futbollistëve para datës së grumbullimit, pra para 10 korrikut.
Deri atëherë duhet të jetë mbyllur gjithçka zyrtarisht, që Dinamo të jetë e plotë për fazën përgatitore.
PLANI – Plani i drejtuesve të Dinamos, sipas burimeve të gazetës, është që të gjitha afrimet të zyrtarizohen në të njëjtën kohë. Ndoshta ditën që do të prezantohet edhe trajneri Nevil Dede.
Për momentin janë zbuluar vetëm dy nga emrat me të cilët blutë kanë pasur kontakte, mbrojtësi Krasniqi dhe sulmuesi Mensah.
Por sigurisht që nuk janë të vetmit. Janë 6-7 lojtarë në listën e përforcimeve të Dinamos për sezonin e ri, por kuptohet që jo me të gjithë mund të konkludohet.
Ka mbetur edhe një javë kohë dhe pritet që drejtuesit e klubit t’i mbyllin me sukses bisedimet me ata që do të forcojnë grupin që do të ketë në dispozicion trajneri Dede.
STAFI – Merkatoja e Dinamos do të prekë edhe stafin teknik, pasi trajneri Nevil Dede do të ketë bashkëpunëtorë të rinj.
Gjatë kohës që skuadra vazhdoi stërvitjen pas kampionatit, grupi i lojtarëve u drejtua nga Xhafa, Ristani dhe Abazaj, edhe pse atyre u kishte përfunduar kontrata.
Por në stafin e Dedes do të ketë emra të tjerë, që mbeten për t’u zbuluar. Klubi është mjaft i rezervuar në dhënien e emrave të atyre që dëshiron të afrojë në merkato, si për lojtarët, ashtu edhe për pjesëtarët e stafit.
FIRO? – Nga blutë mund të ketë edhe ndonjë firo tjetër, përveç katër lojtarëve që mbyllën bashkëpunimin disa ditë më parë. Portieri Simon Simoni pritet të transferohet në një kampionat të huaj, por nuk është fjala për të në këtë rast.
Ekziston rreziku që ndonjë nga lojtarët që janë nën kontratë me blutë të shkëputë me konsensus marrëdhëniet me klubin, ndaj dhe në listën e përforcimeve janë 6-7 emra.
Drejtuesit e Dinamos duan të jenë të përgatitur për çdo situatë dhe gjatë kësaj kohe kanë punuar në drejtim të merkatos. Tani mbetet vetëm që kjo punë të konkretizohet me zyrtarizimin e afrimeve të reja.