Data 3 janar e gjeti Dinamon në fushën e stërvitjes, në kompleksin e saj në Arbanë. Blutë nuk kanë kohë për të humbur, ata janë të parët që do të zbresin në fushë për këtë vit, më 12 janar luajnë derbin me Tiranën. Vëmendja shkon pa dyshim te merkatoja e dimrit, së pari te lojtarët që pritet të përforcojnë skuadrën e trajnerit Mehmeti për gjysmën e dytë të sezonit, pastaj edhe tek ata që do të largohen nga kryeqytetasit.

Për momentin klubi blu nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar në lidhje me afrimet, por “Panorama Sport” zbulon se përforcimi i parë për Dinamon do të jetë një emër i njohur në Superiore.

Jorgo Meksi, mbrojtësi i djathtë që ka luajtur për Skënderbeun dhe Kukësin më parë, pritet të veshë fanellën e 18 herë kampionëve të vendit në vazhdim.

Kur lëvizja të jetë zyrtare, do të mësohen më shumë detaje në lidhje me afrimin e këtij futbollisti me eksperiencë, që së fundi ka luajtur në Greqi, në kategoritë inferiore.

Meksi do të jetë alternativa për Albion Markun, titullar në formacionin e Dinamos në krahun e djathtë të mbrojtjes. Në një ndeshje që mungoi ky i fundit stafi teknik hasi vështirësi, ndaj dhe për të përballuar një kampionat të fortë dhe shumë të ngjeshur është menduar të afrohet Meksi.

Duhet theksuar se për të forcuar mbrojtjen drejtuesit e Dinamos janë në kërkim edhe një të lojtari që luan në qendër të saj. Egzon Bejtullai ishte një mundësi, por kjo pistë së fundi duket se është zbehur, ndaj dhe kërkimet vazhdojnë për alternativa të tjera.

Në anën tjetër, klubi duhet të lirohet edhe nga disa lojtarë të tjerë që kanë qenë pjesë e tij gjatë dy fazave të para. Për momentin, përveç Amarildo Gjonit dhe Ali Samakes, nuk ka lojtarë të tjerë të larguar nga ekipi kryeqytetas.

MESFUSHA

Meksi sigurisht që nuk do të jetë afrimi i vetëm i bluve në merkaton e dimrit. Klubi synon të forcojë të tre repartet për të pasur një grup të kompletuar. Për mesfushën mbeten në diskutim emrat që janë përmendur në fund të vitit që shkoi, Vesel Limaj dhe Ardit Hila.

Janë dy lojtarë me karakteristika të ndryshme me njëri-tjetrin dhe blutë ndoshta më shumë nevojë kanë për elbasanasin, por duhet theksuar se nuk janë pista ta thjeshta për t’u konkretizuar dhe koha do të tregojë se çfarë do të ndodhë. Mund të ketë edhe ndonjë emër surprizë me kalimin e ditëve.

SULMI

Për sulmin do të ketë të paktën një goditje nga ana e kryeqytetasve dhe për momentin më afër tyre duket Ardit Tahiri. Sulmuesi i Dritës dhe Kosovës U-21 mund të veshë fanellën e Dinamos, pasi bisedimet duken në rrugë të mbarë, por asgjë nuk mund të merret për e sigurt. Blutë mund të afrojnë edhe ndonjë sulmues anësor, në varësi të asaj çfarë afron kjo merkato, ku vështirësitë janë më të mëdha se në verë.