Dinamo ka bërë hapat e parë në lidhje me skuadrën e sezonit të ri. Pas edhe një ristrukturimi në kupolën drejtuese të klubit, pritet që të veprohet me më shumë shpejtësi edhe në merkato, ku bluve u duhet të përforcojnë të tria repartet.
Rustem Hoxha dhe Zhozelin Behiratçe janë dy përforcimet e para të skuadrës kryeqytetase, që zgjidh kështu çështjen e qendrës së mbrojtjes me këta dy futbollistë me përvojë. Edhe krahu i djathtë është i zgjidhur me Albion Markun, ndërsa në të majtë për momentin titullar është Indrit Prodani.
Klubi kërkon të zgjidhë sa më shpejt dhe në mënyrën më të mirë mesfushën dhe sulmin, ku Dinamo ka nevojë për të paktën 3-4 elementë të rëndësishëm, lojtarë me kualitet dhe eksperiencë. Kjo javë mendohet se do të sjellë lëvizje të rëndësishme në kampin dinamovit.
AFRIMET – Për pjesën e lojtarëve që pritet të bashkohen me Dinamon, emrat janë po ata që gazeta ka bërë me dije më parë. Për portën diskutohen Stivi Frashëri dhe Aldo Teqja, ku duket se së fundi ka fituar terren ky i fundit. Portieri i Partizanit vjen pas një sezoni shumë të mirë me Bylisin në aspektin personal dhe pas divorcit të djeshëm me të kuqtë, Dinamo po nxiton të mbërrijë te gardiani, i cili njihet mjaft mirë me trajnerin Mehmeti.
Gjithsesi, gjithçka mbetet për t’u parë, pasi ka konkurrencë nga Vllaznia dhe nga Kosova. Edison Ndreca, që mbylli sezonin me Kukësin, shihet si një alternativë për krahun e majtë të mbrojtjes. Për mesfushën, kandidatë janë Fjoart Jonuzi, Engjëll Hoti dhe Shqiprim Taipi, por mund të ketë edhe ndonjë emër surprizë. Emrat e përmendur më sipër janë të gjithë lojtarë të lirë aktualisht, pa detyrime kontraktuale me ndonjë klub. Për sulmin, pistat më të mundshme janë ato të Guindosë dhe të një sulmuesi që mund të vijë nga jashtë vendit në formë huazimi.
LARGIMET – Eni Imami nuk do të jetë lojtari i vetëm që ka mbyllur bashkëpunimin me Dinamon. Mbrojtësi nuk gjeti akordin për rinovimin e kontratës dhe është largimi i parë zyrtar nga skuadra e sezonit të fundit. Klubi është në bisedime edhe me disa lojtarë të tjerë për një zgjatje të mundshme të bashkëpunimit, por gjasat janë që ata të mos vazhdojnë me Dinamon.