FSHF publikoi dje datat e ndeshjeve të javës së 20-të të Superiores. Ishte programuar që kampionati të riniste më 11 janar, ndërsa Dinamos, sipas datave që u publikuan dje, i takon që ta luajë ndeshjen me Bylisin një ditë më parë, më 10 janar.
Kryeqytetasit në fakt kishin bërë llogari të tjera dhe nuk janë dakord me vendimin e fundit, sepse kanë disa lojtarë të huaj në skuadër, të cilët do të shkojnë për të festuar në vendet dhe biletat e kthimit janë prerë duke marrë në konsideratë datën 11 për ndeshjen e parë të 2025-ës.
Klubi pritet të kërkojë zyrtarisht në FSHF që ndeshja e Ballshit të zhvillohet më 11 janar. Pas kësaj transferte, Dinamo do të zhvillojë edhe ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë për këtë edicion, ku do të ndeshet me Erzenin e Kategorisë së Parë.