Rënia e Dinamos në Kategorinë e Parë, përtej asaj që thotë matematika, është e pashmangshme. Në mënyrë gati absurde kjo skuadër nisi rrëshqitjen që në fillim të 2022-shit dhe tashmë është e qartë se duhet ribërë.
Për këtë vizitë “blic” të Dinamos në Superiore do të flitet edhe pak kohë, ndërsa ajo që ka rëndësi tani është e ardhmja. Por gjithsesi duhet zhvilluar edhe nje analize e hollesishme e asaj se çfare ndodhi kete sezon dhe si deshtoi projekti me 1.1 milione euro te investuara.
Pyetja qe shtrohet tani eshte: A do të arrijë kjo skuadër të kthehet shpejt në elitë? Shumë mendojnë se po, duke iu referuar financave të shëndosha të presidentit Bardhi. Megjithatë, nuk do të jetë e lehtë dhe dy pyetjet që ngrihen logjikisht në këtë moment janë: Me cilin staf dhe me cilët lojtarë do të synohet rikthimi?
TRAJNERI – Dinamo ka në krye aktualisht trajnerin e tretë të këtij sezoni, italianin Rodolfo Vanoli. Ai ka një kontratë edhe për dy vite të tjera me blutë, por a do të qëndrojë ai pas rënies në të Parën?
Vetë Vanoli ka lënë të kuptohet se mund të qëndrojë edhe një kategori më poshtë. Edhe menaxheri i tij, Altin Selmanaj, ka pohuar për gazetën se Vanoli është i gatshëm të qëndrojë dhe të vazhdojë projektin për ringritjen e Dinamos. Edhe pse janë bërë 5 humbje radhazi, Vanoli gëzon besimin e drejtuesve të klubit. Megjithatë, gjithçka mbetet të shihet në fund pasi kostoja financiare s’është e vogël.