NGA UVIL ZAJMI

Historia e dinastive, familjeve që i ka bashkuar një vërshëllimë, një profesion, është vërtet e rrallë. Një trashëgimi dhe traditë e krijuar sa farefisnore, aq edhe sportive. Bashkë në shtëpi e në fushë, në një kohë, në një ndeshje, me një xhaketë, atë me ngjyrë të zezë. Vëllezër apo babë e bir, një vazhdimësi në dhjetëvjeçarë që të befason.

Të vlerësuar deri edhe në FIFA, me të njëjtin mbiemër. Nga familja unike Pregja, ajo Dervishi, Kotherja, Kuka, Jareci, Pjetrushi, janë disa. Raportet midis tyre, pesha nga një emër te tjetri, vështirësia për të trashëguar e mbajtur famën e krijuar.

Pjesa më e madhe pa asnjë lidhje me futbollin, vetëm pasioni i lindur e kthyer në një edukatë, bashkë me shqetësimet e një bilbili familjar. Për të vijuar më pas edhe si vëzhgues të FSHF-së. Të paktë janë ata ish-futbollistë që vërshëllyen më pas edhe si arbitra.

FAMILJA PRELA, NGA TEFA TE LEONARDI, BASHKË NË FUSHË

Dy vëllezër nga Kolegjiumi i Arbitrave të Shkodrës. Të dy bashkëkohës, të dy arbitra kryesorë. Tefa më i madh, kampion në pingpong, një traditë familjare pa asnjë lidhje me futbollin, aq më shumë me bilbilin.
Prelat

Angazhohet me arbitrimin në 1968 si arbitër i Kategorisë së Parë. Mësues i rusishtes, për herë të parë ka arbitruar më 18 shkurt 1977 në Tiranë, Shkëndija-Lokomotiva 1-1, për të arritur tek ajo e fundit në mars 1991 po në Tiranë, por këtë herë si asistent. Në sezonin ‘87-‘88, arrin kulmin me numrin 9 të takimeve të arbitruara radhazi. Është asistent në 5 finale Kupe: Lokomotiva-Labinoti, T. Kalaci, A. Halili, T. Prela; 17 Nëntori-Dinamo, M. Lara, T. Prela-T. Kastrati; 17 Nëntori-Dinamo, Dh. Prifti, K.Peqini-T.Prela; 17 Nëntori-Flamurtari, P. Kotherja, T. Prela-K.Peqini; 17 Nëntori-Flamurtari, A. Hoxha, T. Prela-A. Canaj.

Pas një dekade, i vjen radha vëllait, Leonardit, i diplomuar si inxhinier druri që merr nxitje dhe në vitet ‘80. Ai është konsideruar si një arbitër me të ardhme. Pak më ndryshe karriera e Leonardit: Startoi në vitin 1978 dhe u mbyll pas dhjetë vjetësh. Nga 1987-1989 kanë gjykuar bashkë në gjashtë takime, nga të cilat 5 në Kategorinë e Parë dhe një në të Dytën.

Ka qëlluar që të dy të kenë qenë edhe arbitra kryesorë në të njëjtën javë të kampionatit të Kategorisë së Parë, por edhe shumë herë bashkë në një ndeshje. Tefa si kryesor, ndërsa Leonardi si asistent. Në 1996 vjen largimi me familjen në SHBA. Tef Prela është i pari arbitër futbolli shqiptar, që ka arbitruar aty si anëtar i Kolegjiumit të Nju Jorkut, kur ishte 54 vjeç.