Pas shpërthimit të rastit të fundit të basteve të paligjshme në futbollin italian, ish-kapiteni dhe trajneri i kombëtares axurre, Dino Zoff, mbështet idenë që Federata Italiane e Futbollit duhet të përjashtojë nga kombëtarja ata që kapen në situata të paligjshme. “Po, ndoshta ka ardhur momenti të vendosen rregulla të qarta, që kushdo që gabon në këtë drejtim të pezullohet menjëherë nga çdo aktivitet me kombëtaren. Që bëhet fjalë për gabime, kjo është e qartë”, – u shpreh ai për “Il Mattino”.
Si është e mundur që kaq shumë të rinj bien në rrjetën e basteve?
Jam i trishtuar kur lexoj për situata të tilla, që teorikisht nuk kanë shpjegim. Jeta e tyre është e bukur dhe ndryshe nga ajo e bashkëmoshatarëve të tyre. Ata kanë tashmë privilegje, pse të mos i shfrytëzojnë dhe të jenë të lumtur kështu siç janë?
Fitojnë shumë më tepër se në kohën tuaj, por ndoshta nuk mjaftohen me kaq…
Duket se gjithmonë duan më shumë, paratë nuk mjaftojnë kurrë, kur në të vërtetë nuk duhet të jenë objektivi kryesor i jetës. Vlerat janë të tjera, është e dukshme lehtësia me të cilën gabojnë, mbizotëron sipërfaqësia dhe kështu kryejnë gabime të rënda.
Në grumbullimet e kombëtares U-21 thuhet se ishin krijuar grupe pokeri, njëri madje quhej “Las Vegas”, kishin edhe një grup të përbashkët në WhatsApp…
Koha ka evoluar edhe në lojën e letrave, sepse në kohën tonë ekzistonte vetëm ‘scopone’. Luanim gjatë grumbullimeve, në udhëtime, në ndalesat nëpër aeroporte. Shpesh lojtarët bashkoheshin me trajnerin dhe stafin teknik. Ishin momente relaksi, të ligjshme dhe argëtuese, që na bashkonin.