Kilië Mbape nuk e nisi titullar sfidën ndaj Bajernit të Mynihut, por pjesa e dytë e takimit konfirmoi se PSG-ja nuk mund të bëjë pa yllin e saj, i vetmi që diti t’i japë një tjetër ritëm takimit, madje edhe të shënonte, por u ndal vetëm nga VAR-i.
Dhe sigurisht që në fund dëshpërimi për francezin ishte tepër i madh, ndonëse ai kurrsesi nuk është dorëzuar në pritje të ndeshjes së kthimit, pasi shpreson ende te kualifikimi.
“Duhet thjesht të kuptojmë dhe të kujtojmë se si luajtëm në minutat e fundit, pasi ai është ritmi ynë i vërtetë. U kuptua se si mund t’i bënim keq Bajernit dhe kjo është mënyra se si duhet të luajmë në Gjermani, pasi nuk ka asnjë skuadër të pathyeshme.
Personalisht me vjen keq për këtë disfatë, por nuk dua të them asgjë më tepër se kaq. Më vjen keq sepse punova ditë e natë për t’u rikthyer shumë përpara kohe për të luajtur një pjesë të ndeshjes, ndonëse mund të kisha edhe ndonjë minutë më shumë, por është mirë edhe kështu.
Goli i anuluar? Ky është futbolli i ri, kështu ndodh tani… Nëse pozicioni jashtë loje është sinjalizuar do të thotë se atëherë i tillë ka qenë, por e rëndësishme është që të jemi të bindur mbi forcën tonë dhe se në ndeshjet e kthimit mund të përmbysim këtë situatë.
Mund të bëjmë shumë më shumë sesa treguam për një orë ndaj Bajernit, pasi e ritheksoj, duhet të shkojmë në Mynih dhe të luajmë siç bëmë në 20 minutat e fundit, agresivë që në fillim dhe mund t’ia dalim. Jam më se i bindur për këtë”, u shpreh nënkampioni i botës.