
Drejtuesit e klubit Vllaznia pas ndeshjes Tomori- Vllaznia u ankuan në media por edhe përmes një note proteste në FSHF, për parregullsi të mëdha në organizimin e ndeshjes nga ana e klubit beratas si pritës. Por habia më e madhe është se në vendimin e sotëm të Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së, ka patur vetëm paralajmërim për klubin beratas. Motivacioni është tepër qesharak: “Për rifutjen e topave në fushë kur ndeshja ishte duke u luajtur”!!! Vërtetë e çuditshme sepse shkodranët ishin ankuar që beratasit nuk kishin sjellë as topa për zhvillimin e ndeshjes dhe ajo është bërë me topat e shkodranëve. Po ashtu, drejtuesit e Vllaznisë ishin ankuar për mungesën e fëmijëve në pistë për mbledhjen e topave dhe në fakt vendimi i Disiplinës thotë se topat janë rifutur në lojë. Se nga kush, nuk dihet. Po ashtu, ka patur edhe shumë civilë në pistën e stadiumit, por edhe për ata, asnjë fjalë. Kësisoj, ankimimi i shkodranëve nuk ka patur asnjë fryt. Thjesht ka shkuar ajo ankesë deri në Federatë dhe asgjë më tepër. Një papërgjegjshmëri e drejtuesve të komisioneve të kësaj federate, është shoqëruar edhe në vendimet e dala pas mbledhjes së sotme ku një tjetër vendim i çuditshëm ka qenë edhe mospërjashtimi i ekipit të Laçit nga kampionati por vetëm zbritje pikësh, dënim fushe dhe pezullim drejtuesish.
shkodrasport.com