Nesër në mbrëmje luhet ndeshja e Superkupës së Shqipërisë mes Skënderbeut, ekipit kampion dhe fitues të Kupës së Shqipërisë, dhe Laçit, që ishte ekipi finalist i Kupës. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”, në orën 19:45.
Sektori i arbitrave në FSHF ka vendosur që kjo ndeshje, ku diskutohet trofeu i parë i sezonit 2018-2019, do të gjykohet nga kryesori Juxhin Xhaja.
Ndihmës të tij do të jenë Rejdi Avdo dhe Ridigers Çokaj, ndërsa arbitër i katërt është caktuar Ardian Beqiri.
Finalja Kupës së Shqipërisë mes këtyre dy skuadrave pati polemika, për shkak të penalltisë së dhënë nga kryesori Hamiti në favor të korçarëve. Ishte ajo penallti që vendosi rezultatin.
Këtë herë bëhet fjalë për një trofe simbolik, por që gjithsesi mbetet një trofe dhe të dyja skuadrat do ta kërkojnë për një nisje të mbarë të sezonit. /Vipsport/