Dita e parë e garave të kampionatit kombëtar të atletikës për të rritur, ka qenë e suksesshme për atletët e Vllaznisë. Në garat e zhvilluara pasditen e sotme në Elbasan, ato kanë arritur të zënë katër vende të parë. Kështu, në garën e 100 m, Bajram Muça ka zënë vendin e parë duke u shpallur kampion i Shqipërisë me kohën 10″97. Në garën e kërcimit së gjati, vetëm me një kërcim, Izmir Smajlaj ka kërcyer 7.98 m duke u shpallur edhe ai kampion.

Interesant është fakti se në këtë garë, edhe vendet 2, 3 dhe 4 janë zënë nga atletët e Vllaznisë dhe pikërisht nga Ergys Gjeçaj, Gledis Halluni dhe Muhamet Çengeli dhe për më tepër, të katër këto sportistë kanë arritur të kërcejnë mbi 7 metra, çka është një rezultat padyshim shumë i mirë për të gjithë ato.Surpriza e kësaj dite të parë ka qenë padyshim 18 vjeçari Franko Burraj. Në garën e 400 metrave, ai ka bërë një vrapim të shkëlqyer duke mposhtur të gjithë konkurrentët e tij dhe ka arritur kohën 50″50 duke u shpallur kampion i Shqipërisë në këtë disiplinë sportive. Meritë të padiskutueshme në këtë sukses ka edhe trajneri që e ka stërvitur atë, Bruno Rrotani ashtu siç kanë meritë edhe Albert Marashi dhe Vildan Tufi në sukseset e dy sportistëve të tjerë. Po ashtu, Vllaznia ka arritur të zërë vendin e parë edhe në stafetën 4 x100 m ku konkurroi me Bajram Muçën, Ardit Rrashin, Lulëzim Çengelin dhe Muhamet Çengelin. Në përfundim të garave të ditës së parë, Vllaznia ka arritur të grumbullojë 88 pikë dhe ndodhet në vendin e parë në renditje ndërkohë që Tirana e vendit të dytë ka arritur të grumbullojë 35 pikë. Dita e dytë, ajo e nesërmja, do të jetë jetë e fundit e kampionatit dhe ekipi shkodran padyshim që është favorit për fitimin e titullit të 10-të kampion rradhazi. Pretendimet e tij janë për të shpallur kampion si individ edhe në garat e 110 m/p, në 200 m, në trehapësh dhe në stafetën 4 x 400 m.

© shkodrasport.com