Çiklizmi në Shkodër ka një traditë shumë të madhe. Vitin e ardhshëm mbushen plot një shekull nga gara e parë e zhvilluar në këtë qytet por edhe në Shqipëri. Nga rradhët e ekipit të vllaznisë kanë dalë shumë emra sportistësh dhe trajnerësh të shquar që i kanë dhënë tonin këtij sporti jo vetëm në këtë qytet por edhe në gjithë Shqipërinë duke përfaqësuar me dinjitet edhe ekipin tonë kombëtar.
Një prej këtyre figurave është edhe trajneri aktual i Vllaznisë Leonat Kola, për të cilin dita e sotme është e veçantë sepse feston 48 vjetorin e lindjes së tij. Si pjestar i fundit i brezit të artë të Vllaznisë së viteve ’80 në çiklizëm, ai e vazhdoi këtë stafetë edhe më tej.
Iu bashkua ekipit të famshëm të përbërë nga vëllezërit Tafili, Syka, Muriqi etj, në vitin 1987 kur ishte vetëm 15 vjeç dhe një vit më vonë do të shpallej kampion i vendit si pjestar i këtij ekipi dhe po ashtu edhe në vitin 1989.
Pas ardhjes së demokracisë dhe largimit të këtyre emrave të njohur, Leonat Kola e vazhdoi këtë traditë duke udhëhequr një brez të rinj çiklistësh drejt sukseseve të reja dhe Vllaznia me të kapiten do të shpallej kampione edhe në vitet 1995 dhe 1997.
Kjo është karriera e Leonat Kolës si sportist, e mbyllur me katër tituj kampionë dhe jo më kot gjatë vitit të kaluar është vlerësuar si njëri prej “Çiklistëve të Shekullit” të SK Vllaznia. Ndërkohë prej katër vitesh ka nisur një karrierë tjetër, atë si trajner i ekipit të Vllaznisë. Po bën një punë të mrekullueshme duke rritur një brez të talentuar sportistësh dhe me siguri që sukseset nuk do t’i mungojnë këti ekipi.
© shkodrasport.com