Historiani Romeo Gurakuqi, nxjerr nga arkivi i familjes, ditarin e një prej themeluesve të shoqërisë “Vllaznia”, në shkurt të 1919-s, bashkë me fotot e rralla të siguruara nga fototeka “Marubi”
Ka qenë një ngjarje e rrallë në Shkodër, kur një grup intelektualësh në shkurt të vitit 1919, vendosën të mblidhen për të themeluar shoqërinë “Vllaznia”, që erdhi nga shkrirja e shoqërive “Vaso Pasha” dhe Mustafa Pasha. Historiani Romeo
Gurakuqi, na njeh me këtë histori, duke nxjerrë nga arkivi i familjes, ditarin e një prej themeluesve të shoqërisë, Karl Gurakuqit, njëkohësisht edhe pagëzues i emrit të shoqërisë së klubit “Vllaznia”. Gurakuqi i ri, na vë në dispozicion edhe foto të kohës, të shoqërisë “Vllaznia”, të bëra nga Kel dhe
Gegë Marubi. Më poshtë botojmë ditarin e Karl Gurakuqit për këtë ngjarje, të quajtur “Qi të mos harrojmë”:
***
“….. Shqipnija ishte e të gjithvet pá dallim ……..; për tê do të përpiqeshim të gjith, atê do tá gëzojshim të gjith… …..Për këtë arsye u vûna në marrëveshje me eksponentat e djelmnís shkodrane katolike, me Hilë Mosin, Tush Kakarriqin, Terenc Toçin, Kristo Floqin (këto dy të fundit advoketën, i pari italo-shqiptár,
i dyti korçár) me Mati Logorecin, me vellán t’em Lazrin (Lazer Gurakuqi, gjyshi im, R.G.), me Kolë Mjedën etj., ashtu edhe me ata të djelmíns musulmane, me Omer Ruzhdín, Ismail Anamalin, Shefqet Mukën, Ali, Shyqri e Kadri Borshin (tre vellazen) etj.
Si njêna, ashtu tjetra anë, ishin të gatishme për nji marrëveshje e për shkrîmjen e dy shoqnivet në nji. U vendos të bâhej nji mbledhje e përgjithshme, ku të rrihej mendimi për bashkim.
Mbledhja u bâ me 16 fruer 1919, në sallën e madhe të Bashkís, me lejen e komandantit francez Bardi de Fortou, të cilën e nxora unë, mbasi ishem bâ
mik i tij, pse i jipshem mësim shqip dỳ herë në javë.
E hapi mbledhjen Hile Mosi, i cili ma la fjalën mue. Fola mbí të mirat qi sjell bashkimi, mbi nevojen e nji votre të përbashkët, rreth së cilës të mblidheshin të gjith, ku të rriheshin vëllaznisht problemat e rasës e të kohës.
Shqipnija kâ nevojë për ndihmën e çdonjenit, simbas gjendjes e mundësís së secilit, por të gjith të synojshin qellimin e mbrâm: Përparimin e Atdheut, luftimin e mentalitetit të vjetruem se Shqiipnija nuk mund të qindronte ne
kâmbë të veta. Duhej qi rinija ta mirrte punën në dorë e sá mâ parë, mbasi anmiqt me mzi presin me na pá të pazotët për të rregullue shtëpínë t’onë, dhe do të përfitojshin nga mobashkimi e nga grindjet e ndërmjetvedshme, Anmikun e kemi në shtëpí e âsht tânë sy e veshë, e fërkon duert kúr shef se njêni i bjen thumbit e tjetri patkonit.
E mbarova fjalën me thânjen latine: Concordiâ parvae res crescunt, discordiâ maximae dilabuntur, d.m.th. me bashkim rriten sendet e vogla, me mos-bashkim edhe të mëdhajat i han dreqi, ase, si e thomi na në Shkodër, i rruen Luca!.
Duertrokitjet s’patën mbarim…. “Rroftë Bashkimi!” “Rroftë Gurakuqi!”, jehoi salla sá me u ndie në rrugë.
U sajue nji komision për përpilimin e statutit të Shoqnís, qi aty për aty u pagzue “Shoqnija Vllaznija”. Komisjoni u përbâ nga Hilë Mosi, Kristo Floqi, Omer Ruzhdija, Ali Borshi edhe unë.
Në krye të javës u thirr mbledhja e përgjithshme (mâ se 150 vetë). U këndue statuti artikull për artikull dhe u pranue pá asnji ndryshim me të çueme dore.
Menjiherë mbas pranimit të statutit, doli i emnuem si kryetár i shoqnís Hil Mosi. Për sekretár u zgjodha unë për aklamacjon e me duartrokitje të pa-pushueme.
Si drejtuer i sesjonit (degës) letrare, u zgjodh me vota Kristo Floqi.
Si drejtuer i degës theatrore, Kolec Deda.
Si drejtuer i degës muzikore, Lec Kurti.
Këta të pesë sajojshin Këshillin e Shoqnís.
Gjithashtu u vendos të botohej nji revistë muejore. Dikush proponoi të quhej “Vellaznija”, por, mbas proponimit t’em, u pranue titulli “Agimi”. Shpenzimet e botimit do t’i hiqshin antarët. Të pranishmit kontribuen seduta stante për botimin e dy numrave të parë.
Drejtuer i revistës u caktue Kristo Floqi, redaktuer unë. Numri i parë doli në máj 1919 në shtypshkrijën “Nikaj”. Në vjetin e dytë, drejtimi m’u ngarkue mue (máj 1920), të cilin e mbajta për dy vjetë, derisá u mbyll (prill 1922), dhe pata si redaktuer Ali
Borshin. (I dyti botim i emi: Revista “Agimi” – Drejtuer i sáj prej májit 1920 deri në prill 1922).
Dega e theatrit kishte nevojë për copa theatrore. Edhe kësaj detyre iu shpërvola me nji punë të vijueshme: Natën e bâna ditë. Má së pari përpilova, në bazë të romanit,
dramin pesë aktesh “gjenovefa”, i cili u çfaq me sukces të madh. Ishte e para here qi në çfaqje theatrore publike mirrte pjesë femna. Pjesën e Gjenovefës e luejti Tusha Brahimi, qi mâ vonë u martue me Rrok Malokun.
Drami i dytë me titullin “Erminja e vorfën” qe nji përkthim nga italishtja, i bâm nga Kolë Gurakuqi, alías Kola i Shaqes.
…..
Ásht për t’u shenue se për botimin e dramës “Gjenovefa” kartën e shtypit e bleva unë, kurse radhitjen e shtypjen e librit e bâni vëllau i em Luigji n’orët e mbaspunës në shtypshkrojen “Nikaj”, ku ai punonte.
Për degën theatrore punova edhe trí komedina, të cilat mjerisht kanë mbetë dorëshkrime:
“Fatakeqi” komedí pesë aktesh, ku tregohet jeta e njij nëpunsi, qi gjith jetën e vet mbeti pâ gradim, e prá ishte puntuer i qitun, porse ishte i pa fjalë e përfitojshin të gjith prej tij: baj vênë e pi új.
“I ligu për mend” nga Molíere, trí aktesh, përshtatë rrethanavet shqiptare. Kjo komedí âsht luejtë trí herë në Shkodër, mâ vonë, dỳ herë në Tiranë, dỳ herë në Durrës e nji herë në Shën Gjin.
“Kopraci” nga Moliere- përshtatë gjendjes së vendit.
Ushtrija franceze e lên Shkodrën, 11 mars 1920. Ahmet Zogu në Shkodër. Shkodra bashkohet me qeverín e Tiranës.
Gëzimi i popullit në rasën e bashkimit të Shkodrës me pjesën tjetër të Shqipnís.
Shoqnija “Vllaznija”, sikurse u pá prej statutit, kishte marrë lejën e themelimit si shoqní kulturore shqonore, e jo politike.
Mirëpo qe e shtërngueme të lëvizte edhe në pikëpamje atdhetare –kombëtare, pse ushtrija serbe nuk po dilte nga Shkodra, tue pretendue ta mbante për vedi me gjith rrethe deri në Bregun e Matit.
Ishte në kâmbë Konferenca e Parisit, ku bisedohej e rrihej çâshtja e kufîjvet shqiptarë: Greqija kërkonte gjith prefekturën e Korçës e të Gjinokastrës; Italija donte Vlonën dhe mandatin mbí Shqipnín qi tepronte. Akordi Tittoni-Venizelos më 29 korrik 1919 ia kishte caktue Greqís tokat shqiptare të jugut.
Përpara kësaj gjendjeje së mjerë, Shoqnija “Vllaznija” nuk mund të rrinte me duer kryq, së paku me organizimin e njij demonstrate popullore. Mirëpo, demonstratat ishin të ndalueme, mbasi Shkodra kishte mbrendë dỳ ushtrí: franceze e serbe.
Pritej nji rasë e volitshme për të ndërmarrë nji punë të tillë. Po afrohej 28 nândori… Këshilli i Shoqnís, në mbledhje të mshefta, mori masat për nji kremtim madhështuer me pjesëmarrjen edhe të malcorvet. Në këtë punë na ndihmuen sidomos françeskanët Át Anton Harapi, Át Vinçens Prennushi etj.
Atë ditë pra, 28-XI-1919, simbas udhëzimevet të dhânuna, n’orët e para të mengjesit, banda muzikore e shoqnís u suell nëpër rrugët e qytetit për të mbledhë popullin; nji grup tjetër sillej andej e këndej për mos me lânë të çeleshin dugajet; kângët kombëtare jehojshin në katër anët.
Ia mërrijtën edhe malcorët t’armatosun më At Anton Harapin në krye. Nji shumicë të tillë populli s’e kishte pá kurr Shkodra. Ushtrija serbe ishte ndrŷ ndër kazerma nga friga se mos ngjajshin turbullime.
I prîm nga këshilli i shoqnís, me të cilin ishin bashkue edhe Át Anton Harapi e Át V. Prenushi dhe nga banda muzikore, krejt populli (me thânë nj’a 10000 vetë) u drejtue kah fortesa “Rozafat”, ku valojshin flamujt e Francës e të Serbís, por jo ai i Shqipnís. Ushtrija franceze kishte pasë urdhën mos me na ndalue. Do të mirreshin masat kundra nesh mâ vonë.
Të mërrîjtmën në kalá, Át Prennushi, hypun mbí një shkamb, mbajti nji fjalim të flakët, qi enthuzjazmoi të gjith. Brohoritjet s’patën kurr mbarim; muzika mirrte kângë kombtáre e përcillej nga krejt populli.
Kulmi mërrîjti atëherë kúr në vendin e flamurit serb ngritëm pranë atij të Francës flamurin e Skanderbeut, qi e kishin punue Murgeshat Stigmatine me urdhën të Fretënvet.
Mbasdreke vonë zbritëm nga kalaja tue bërtitë: “Shkodra e Shqipnís”. Kishim pasë pregatitë memorandume për Fuqítë e Mëdha të mbledhuna në Paris. Në Fushën e Drûvet populli i nënshkroi këto (me mija nënshkrime). Nji komisíon i zgjedhun aty për aty, ku bâna pjesë u ngarkue me u paraqitë memorandumin komandës franceze dhe konsullatës italjane për me ia drejtue Konferencës në Paris.
Mbasi e kryem këtë ngarkesë u bashkuem të gjithë (nja 50-60 vetë) në “Kafën e Madhe” të Raskut, kundrejt Lulishtës Popullore, për me e vijue festën e 28 nândorit me kângë e me pije. Kurqe, njaty kah ora 10 e mbrâmjes, nji kapidan francez, i përcjellun nga dy ushtarë t’armatosun,
hŷnë në kafe e na kapën nja 30 prej nesh e na përcollën arrestim në policí, qi ishte nën urdhnat e kapiten Billes. Aty na futën nepër oda si të burgosun. Po i rreshtoj disá emna, ashtu si po më kujtohen pas 38 vjetësh:
Mati Logoreci, Kel Marubi, Lec Kurti me të vellán Salvatorin, Kolë Krajni me të vëllan gjonin, Luigj Naraçi, Tush Kakarriqi, Gegë e Simon Gurakuqi (dy kushrîj të mi), Omer Ruzhdija, Shefqet Muka, Shyqri e Ali Borshi me të vellán Kadrín, Ismail Anamali, Lec Çurçija, Guljelm Luka edhe unë bashkë me shumë tjerë.
Na mbajtën pesë ditë e pastaj na liruen.
Ishte përhapë fjala se ushtrija franceze do t’ia lëshonte Shkodrën qeverís së Tiranës. Ushtrija serbe nisi me i bartë plaçkat.” /Mapo/