Vllaznia ka vijuar sërish me intesitetin e lartë në javën që po mbyllet në procesin stërvitor. Kuqeblutë gjatë ditëve nga e hëna në të premten kanë zhvilluar nga dy seanca në ditë. Një gjatë paradites në stadiumun “Loro Boriçi” dhe një pasdite në fushën sportive të Golemit. Një ritëm i lartë ky për shkodranët që po përgatiten për kupat e Europës.

Por trajneri Josa duket se në fundjavë ka vendosur që të shpërblejë lojtarët e tij. Ekipi ditën e djeshme ka zhvilluar stërvitje vetëm paradite e ndërsa sot do jetë totalisht pushim. Kjo për tu rikthyer nesër në punën e zakonshme. Një fundjavë relaksi kjo për futbollistët, që mund të shijojnë edhe plazhin në këto ditë vere.

Gjithashtu ky pushim mund të shërbejë shumë për lojtarët që kanë shfqur probleme fizike si: Latifi, Jonuzi, Kaina apo Hoxhaj. Apo edhe disa ditë më tepër për emra si: Vulaj, Boshnjaku apo Juriç që të gjejnë formën e tyre më të mirë.

Patjetër që pavarësisht se futbollistët mund të jenë pushim, stafi drejtues dhe ai teknik janë në “punë”, për përmirësimin dhe forcimin e skuadrës. Në mënyrë që të bëhet një pëfaqësim sa më dinjitoz në kupat e Europës, por edhe gjatë sezonit në Superligë.
Endri ÇINARI