Prej disa muajsh emri i tij ka qenë pjesë e vazhdueshme e medias sportive. Kjo për zgjedhjen e tij për të luajtur me kombëtaren e Shqipërisë dhe jo atë të Greqisë. Fjala është për shkodranin, Andreas Ndoj. Futbollisti i lindur dhe rritur në vendin helen, tashmë po hedh hapat e parë në futbollin e madh.
I formuar tek akademia më e mirë në Greqi, ajo e Olimpiakos, Ndoj sot ka bërë debutimin e tij si titullar në Superligën greke. 19-vjeçari ka luajtur si titullar në fitoren e bardhekuqve në transfertë në shifrat 1-2 kundër OFI Kretë. Trajneri spanjoll, Gonzalez i ka besuar aftësive të shkodranit duke e hedhur atë në fushë nga minuta e parë.
Dhe jo në rolin e tij natyral, atë të mesfushorit para mbrojtjes, por si një qendër mbrojtës. Duket se emocionet e debutimit kanë bërë të veten, pasi Ndoji ka shkaktuar një autogol dhe po ashtu është ndëshkuar me karton të verdhë. Duke bërë që të zëvendësohej me fillimin e pjesës së dytë.
Gjithsesi ky është një hap pozitiv për futbollistin e kombëtares sonë u-21. Që po hedh hapat e parë drejt një të ardhmeje që duket e ndritur për të. Ku që në një moshë shumë të re po luan në një ligë të fortë, me një prej ekipeve legjendare të të gjithë Ballkanit.
Emdri ÇINARI