Volejbolli shkodran i meshkujve nuk ka fituar shumë trofe gjatë historisë së tij dhe kjo për arsye të ndryshme, por nga ana tjetër, ka nxjerrë nga rradhët e tij emra të mëdhenj të cilët kanë shkruar historinë e këtij sporti. Dhe njëri prej tyre, ndoshta më i madhi, është Ali Bushati, njeriu që sot mbush 78 vjeç dhe me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ai është njëri nga volejbollistët më të famshëm të volejbollit shqiptar dhe atij shkodran në të gjitha kohërat. Ai është ikona e volejbollit shkodran me të cilin janë të lidhura të gjitha fitoret, dhe arritjet më të mëdha të Vllaznisë, sidomos në vitet 60’, ’70 të shekullit të kaluar kur Vllaznia e Shkodrës luftonte “dhëmb për dhëmb” me Dinamon e famshme të trajnerit legjendar Vangjel Koja.

Dhe Vllaznia me mjeshtrin e merituar të sportit në krye, Bushatin e papërsëritshëm, u bënte ballë dinamovitëve të “rëndë” duke u renditur shpesh në vendin e dytë. Për rreth 14 vjet Vllaznia e Shkodrës me Aliun në krye u bë “armiku” numër 1 i kësaj skuadre të madhe. Në vitet 1967, 1969 dhe 1970 Vllaznia e Shkodrës fitoi tre Kupa Republike duke triumfuar ndaj Dinamos së Tiranës.

Ali Bushati ka lindur më 24 tetor 1942 dhe filloi karrierën sportive në moshën 10- 12-vjeçare me futbollin kur luante me skuadrën e lagjes Perash në Shkodër dhe shkollës “1 Maj” ku trajner kishte mësuesin e edukimit fizik, trajnerin e mirënjohur të atletikës Feti Dizdari. Merret edhe me atletikë e basketboll, por volejbolli do të ishte sporti me të cilin do të bënte karrierë.

Në vitin 1956 fillon teknikumin e fiskulturës “Vojo Kushi” në Tiranë. Pas përfundimit të shkollës në Tiranë, kthehet në Shkodër dhe 17 vjeç ingranohet me ekipin e parë të basketbollit dhe paralelisht luan edhe volejboll. Trajneri i volejbollit të Vllaznisë, Dan Doçi bën kërkesë dhe ngulmon tek trajneri i basketbollit Esat Haxhi që Aliu të kalonte tek volejbolli pasi vështronte ngultas tek ai, të ardhmen e volejbollit shkodran.

Dhe kështu do të ndodhte. Ai do të luante me Vllazninë e volejbollit deri në vitin 1964 ku me kërkesën e Petrit Dumes e marrin ushtar dhe e kalojnë te Partizani, me trajner Andon Konën ku u afirmua plotësisht.

Bushati ka vijuar njëkohësisht të merret me atletikë dhe ka zënë vendin e dytë dhe të tretë në Shqipëri në hedhje shtize dhe kërcim së larti për të rritur në vitet 1964-65. Aliu ka zhvilluar rreth 60 ndeshje ndërkombëtare (25 me ekipin përfaqësues).

Në vitin 1966 rikthehet në Shkodër dhe e nxjerr Vllazninë nga kategoria e dytë në të parën. Për 7 vjet Vllaznia e Ali Bushatit (trajner-lojtar), Franc Jakovës (trajner) Tonin Fistanit, Sandër Palokës, Viktor Jubanit, Mark Grimcit, Xhelal Haxhit, Bato Lashovës etj rivalizojnë për titull me Dinamon.

Ai nuk e harron “finalen” e kampionatit kombëtar midis “Vllaznisë” e Dinamos në Shkodër në vitin 1972, kur Vllaznia shënonte pikën e 15-dhjetë dhe fitonte 3-2, por sekretari i ndeshjes kishte harruar të shënonte një pikë për Vllazninë. Gjyqtari i ndeshjes Dilaver Cara ish ulur prej kulle për të “verifikuar” pikët dhe në mënyrë paradoksale rinis lojën. Dinamo fiton setin e pestë final 18-16 dhe të gjithë takimin 3-2.

Njeriu i virtuozitetit të topit në rrjetë është futur në gjashtëshen shekullore të volejbollit shqiptar dhe renditet i katërti në Shqipëri pas Asllan Rusit, Dashamir Fagut dhe Petrit Murzakut.

Ali Bushati është “Mjeshtër i merituar i sportit”, “Nderi i Sportit Shqiptar 2000”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Volejbollist i shekullit” i SK Vllaznia, vlerësime këto të cilat i meriton të gjitha.
Gjergj KOLA