Fundi i sezonit natyrisht që ka filluar të japë edhe shenjat e lodhjes tek futbollistët për shkak të numrit të madh të ndeshjeve që kanë zhvilluar.

Por në fakt kjo nuk ndodh tek të gjithë. Njëri prej tyre, është mbrojtësi i talentuar i Vllaznisë Enes Isufi i cili pikërisht tashmë në fund të sezonit duket se po përballon ngarkesën më të madhe.

Futbollisti që në gjysëm të korrikut mbush 18 vjeç po shfaqet si një protagonist i vërtetë në fushën e lojës.

Të enjten që shkoi ka qenë në Durrës në ndeshjen finale play-off në mes Vllaznisë B dhe Orikut.

Duke mbajtur shiritin e kapitenit të kësaj skuadre, ai ka luajtur plot personalitet në fushën e lojës për 120 minuta duke dhënë kontributin e tij në suksesin e ekipit shkodran që siguroi qëndrimin në kategorinë më parë.

Një ditë më vonë, grumbullohet me ekipin e parë për ndeshjen ndaj Kukësit dhe të shtunën madje zbriti në fushën e lojës në minutat e fundit të saj duke zëvendësuar kapitenin Lika.

Një veprim i trajnerit Kraja që tregon më së miri për vlerësimin që ka për këtë futbollist.

Por angazhimi i Isufit nuk do të ndalej këtu. Ditën e dielë është nisur drejt Durrësit për t’u grumbulluar me kombëtaren U-19.

Trajneri Bogdani ka kërkuar ta ketë në skuadër për dy ndeshjet miqësore me Kosovën që do të zhvillohen më 24 dhe 26 maj.

Mbrojtësi i Vllaznisë është pjesë e rëndësishme edhe e kësaj kombëtareje, madje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit të saj.

Ky densitet ndeshjesh dhe grumbullimesh natyrisht që mund të shkaktojnë edhe lodhje për sportistët por jo për Isufin.

Ai është nga ato futbollistë që dallohet për mënyrën si mban regjim për të rikuperuar sa më shpejt energjitë e humbura.

Një profesionist i vërtetë. Jo më kot, kohët e fundit në adresë të tij ka patur edhe interesime të klubeve të huaja që shumë shpejt mund të trokasin tek Vllaznia për marrjen e kartonit të tij.
© shkodrasport.com