Prej një dekade edhe ai përfaqëson Vllazninë, madje në mënyrën më dinjitoze të mundshme. E kemi fjalën për ekipin e futbollit të femrave i cili është vërtetë krenaria e Vllaznisë, për sukseset e jashtëzakonshme që ka arritur gjatë kësaj periudhe.
Megjithatë me rastin e ditëlindjes së Vllaznisë, përmes një postimi të bërë në faqen e tij, drejtuesit e këtij ekipi janë shprehur se sukseset e deritanishme nuk e kanë “ngopur”, përkundrazi e motivojnë edhe më shumë për të fituar edhe të tjerë në të ardhmen. Ja çfarë shkruhet në këtë postim:
“Vllaznia sot ka ditëlindjen, feston 104 vjetorin e së saj dhe padyshim që ky është një moment i lumtur për të gjithë shkodranët. Kuptohet edhe për ne, pjestarët e ekipit të futbollit të femrave.
Jemi njëkohësisht krenarë që prej gati 10 vitesh jemi munduar ta nderojmë ashtu si duhet këtë emër duke bërë përpjekjet tona maksimale për ta lartësuar edhe më shumë.
18 trofetë kombëtare të fituara deri më tani dhe kualifikimi historik në fazën e grupeve të “UEFA Women’s Champions League” nuk na kanë “ngopur”, përkundrazi na e kanë shtuar edhe më shumë dëshirën për t’i çuar edhe më tej këto arritje. Sepse në fund të fundit, jo kushdo mund të ketë nderin të jetë pjesë e këtij emri legjendar siç është Vllaznia.
Urojmë të gjithë ato ekipe që përfaqësojnë Vllazninë të kenë rezultate sa më te larta dhe Vllaznia të jetë krenari për dekada dhe shekuj”.