Kur mori detyrën për të shkuar në Burrel dhe për të stërvitur një skuadër e cila nuk mund të kishte buxhetin e shumë emrave të mëdha të futbollit shqiptar, ish-futbollisti Ditmar Bicaj, djali i legjendës Vasil Bicaj, u mendua gjatë, por vendosi të rrezikonte, të niste një karrierë të re, atë të trajnerit, në një botë krejt tjetër dhe të vështirë, sepse të përqëndrohesh në fushë dhe të zbatosh detyrat që të janë dhënë është një gjë, por të stërvitësh 25-26 futbollistë është një tjetër, pasi duhet t’i kontrollosh, t’i ndjekësh hap pas hapi, të bësh psikologun kur duhet, babain imagjinar në një rast tjetër, shokun dhe vëllain e tyre në një situatë tjetër.
Eshtë një proces që kërkon rritje, por Ditmari nuk u frikësua nga ky fakt dhe menjëeherë gjatë verës së shkuar mori makinën dhe u nis drejt Burrelit, duke e bërë këtë gjatë tashmë prej gati 8 muajsh, çdo ditë, pasi në Tiranë ka familjen e tij.
Një skuadër, ajo e Burrelit, me moshë mesatare të re, me elementë që kanë rritur nivelin e tyre jashtëzakonisht shumë, por që pasqyron gjithashtu edhe idetë e trajnerit që i drejton. Kujtojme perrallen e bukur Florenc Farruku (13 gola deri tani), golashenuesi i ekipit dhe lider i sulmit, por edhe futbollistin me eksperience Shkalla, lider i mbrojtjes bashke me shkodranin Klejdi Paloka, pa harruar ketu brazilianin Helio Junior, kolumbianin Arango dhe nigerianin Osikel.
Patrik Fetaj gjithashtu, mbrojtesi golashenues, por edhe ne sulm zbulimi Igli Rrapi apo Pasmaçiu. Pjesë e këtij suksesi janë edhe dy shkodranë të tjerë, portieri Sinan Dani dhe mesfushori Ildi Xhakaj që kanë qenë një bazë e rëndësishme e këtij ekipi.
Rezultate befasuese në një kampionat të egër, me shumë skuadra që kanë investuar deri në 1 mln euro (Flamurtari) apo Vora (më shumë se 600 mijë euro), apo ekipe tradite si Besa, Lushnja, Apolonia e kështu me radhë.
Burreli është aty, direkt e katërta dhe ka siguruar playoff për t’u ngjitur në Superiore. Dhe nëse është aty meritën më të madhe e ka pikërisht trajneri i tyre, zbulimi i Kategorisë së Parë në eksperiencën e tij të parë në stol si trajner i parë.
Dhe Ditmari, që në karrierën e tij gjithmonë nuk i ka pasur frikë sfidat, është gati për një të re, kushedi në Superligën Shqiptare, sepse pasioni nuk i mungon, kjo është e paktë por e sigurtë.
Ai e filloi karrierën e tij te Dinamo Tirana, përpara se të përfaqësonte Tiranën, Skënderbeun e Korçës, Teutën, Vllazninë, Kukësin, Bylisin, Partizanin dhe Flamurtarin në Shqipëri, si dhe Belasitsa Petrich dhe Tractor Sazi në Bullgari dhe Iran. Pikerisht keto grimca karriere si futbollist e kane ndihmuar te punojë me shumë trajnerë, legjenda, dhe kanë magazinuar te ai ide dhe eksperiencë./telesport/