Burreli mori tre pikë “të arta” në fushën e vet përballë Erzenit, që mbyll tabelën e klasifikimit në Kategorinë e Parë. Skuadra matjane fiton me rezultatin 1-0, me gol të shënuar nga kapiteni Farruku në minutën e 19-të nga pika e bardhë e penalltisë të fituar nga Dushkaj.

Ndeshja i pati të gjitha brena, grintë, nervozizëm dhe luftë sportive, por janë vendasit ata që e nisin në sulm. Shijakasit patën rastet e tyre, madje edhe pas pësimit të golit nuk demoralizohen. Ata tentojnë të barazojnë, por mbrojtja matjane dhe portieri Dani nuk do e lejojnë.

Pjesa e dytë është më ekuilibruar, por Erzeni mori në duar frenat e lojës në disa momente, por nuk arrin të gjejnë hapësira për të barazuar. Të dy trajnerët bëjnë zëvendësime të shumta, por rezultati nuk ndryshon deri në fund.

Trajneri i Burrelit, Ditmar Bicaj, pas ndeshjes tha: “Jam i kënaqur me fitoren dhe lojën e Burrelit. Mund ta mbyllnim ndeshjen duke mos i dhënë mundësi kundërshtarit, që na vuri në vështirësi në disa momente.

Fryma e grupit është arma kryesore e këtij ekipi. Kampionati është i gjatë dhe Burreli nuk është rastësisht në vendin e 4-të, sepse që nga fillimi i kampionatit e deri më tani kemi treguar rritje në të gjitha aspektet. Burreli luan çdo ndeshje si finale”.