Nga Martin DEDAJ
“Mentalitet fituesi dhe larg vetëkënaqësisë”, ky është çelësi i suksesit ka deklaruar trajneri matjan Ditmar Bicaj, teksa ka analizuar paraqitjen e Burrelit ndaj Kastriotit, duke pranuar se diçka nuk shkoi tek skuadra e tij në këtë ndeshje; “Në pjesën e parë nuk ishte ai ekipi im. Kjo për nga mënyra sesi u shfaq. Por nga ana tjetër shfaq rezerva edhe ndaj kryesorit Alla, ku ndër të tjera Bicaj deklaron se;
“Nuk jam i prirur të fshihem pas gabimeve e ti kërkoj ato tek gjygjtari, por në këtë ndeshje Alla mund të bënte më mirë. Pavarësisht kësaj ne duhet të pranojmë gabimet tona, dhe gabimi më i madh i yni ishte çeshtje mentaliteti, pse jo paksa edhe vetëkënaqësie. Do të bëjmë përmirësimet e duhura dhe rokadë lojtarësh. Ndërsa sa i përket ndeshjes së radhës përballë Lushnjës në Burrel, Bicaj e sheh ndeshje të rëndësishme dhe një përballje të fortë, por ne do të luajë vetëm për fitore, pasi vetëm kjo dhe shumë të tilla do të na shërbenin në të ardhmen. Mbi të gjitha në do të punojmë fort për ndryshimin e mentalitetit për të hyrë në fushë vetëm për fitore.
-I N T E R V I S T A –
Burreli pësoi humbjen e parë në 5-javë kampionat. Natyrisht që edhe humbja është pjesë e lojës, por u duk sikur Burreli, sidomos në pjesën e parë ishte pothuajse jashtë natyrës së tij. Pse ndodhi kështu?
Konstatimi është i drejtë. Pjesa e parë ishte inekzistenca e Burrelit dhe në këtë pjesë nuk ishte ekipi im. E çuditshme ishte mënyra e interpretimit të lojës, luajtën edhe me topa të gjatë, e kjo nuk është se e kam kërkuar ndonjëherë, megjithatë humbja e parë do të vinte në një ndeshje. Në katër javë normalisht kemi ardhur me rezultate pozitive dhe humbja e parë vjen në javën e pestë. Kundërshtari në pjesën e parë zhvilloj një lojë të mirë, por problemi më i madh për ne është fakti sepse ne nuk u futëm në fushë me mentalitet fituesi. U futëm sikur të kishim 78 pikë dhe jo 8. Dhe kjo është keqardhja më e madhe. Megjithatë në pjesën e dytë jam shumë i kënaqur me zëvëndësimet, ritmin, mënyrën e lojës që interpretuam, në shënimin e golit. Kam disi rezerva tek gjykimi, megjithatë nuk duhet t’ja faturojmë të gjitha gjykimit, pasi kemi dhe ne mëkatet tona
Pas 5-javësh skuadrat kanë filluar të ravijëzojnë portretet e tyre. Dhe ajo që vihet re është diferenca e ngushtë e pikëve. Nga vendi 4, që është Burreli me 8 pikë tek i 9, diferenca është vetëm 3 pikë. Si e shihni garën dhe skuadrën që drejtoni?
Kjo do të thotë që çdo javë është javë prove dhe çdo javë ka presion, prandaj duhet që në çdo javë të futemi në lojë për të fituar ndeshjen. Jo se ne e humbëm këtë ndeshje por e thashë edhe më lart, më vjen shumë keq mënyra sesi ne kemi interpretuar dhe mënyra sesi jemi futur në fushën e lojës. Problemi dhe lufta ime më e madhe me futbollistët gjatë gjithë kësaj kohë ka qenë dhe është mentaliteti, të cilin ne duhet ta ndryshojmë. Në qoftë se ne nuk ndryshojmë mentalitetin, do të kemi përsëri problemet e vjetshme dhe të parvjetshme. Kështu që duhet të ndryshojmë mentalitetin dhe nuk duhet të ngopemi kurrë me një fitore, por duhet të kemi sa më shumë uri për shumë të tilla.
Humbët se ju mundi Kastrioti, apo nga faktorë të tjerë, qoftë edhe gjykimi?
Jo, jo, unë nuk fshihem pas gabimeve që ne kemi bërë, sidomos në 45’ e para, aty nuk ka qenë ekipi im. Këtë e them me bindjen e plotë. Komplimente Kastriotit. Arriti të shënoj dy gola në 45’, mori tre pikët edhe pse ishte nën presion. I uroj shumë suksese. Ne do të gjejmë gabimet tona, ti shikojmë dhe analizojmë ato gabime që janë konstatuar në 45’ e para, të cilat duhet thënë se ishin të shumta, si në presion ashtu edhe në rrugëdaljet e topit, po ashtu edhe tek lufta sportive. Dhe do të nxjerrim mësimet. Kemi 23 lojtarë që janë në formë të plotë. Do të ketë rrotacion lojtarësh. Kështu që presim Lushnjën dhe rruga e vetme është vetëm marrja e tre pikëve.
Vonesa e daljes së Burrelit në pjesën e dytë, çfarë la të nënkuptohej, apo thjeshtë rastësi?
Çunat kanë qenë mërzit si duket me gjykimin. Ishin jashtëzakonisht të mërzitur, biles nuk donin që të futeshin në fushë dhe pas pesë minutash, kemi komunikuar me ta që të riktheheshin në fushë. Këto janë gjëra që ndodhin. Gjygjtari Alla, mund të bënte diçka më mirë në gjykim. Megjithatë futbolli kështu është. Pala që unë bëj gjithmonë është që mundohem dhe përpiqem që të mos e gjej gabimin ndaj gjygjtarit, por në këtë rast jo, pavarësisht kësaj ne duhet të jemi më gjakftohtë dhe duhet ti kërkojmë dhe gjejmë gabimet edhe tek vetja dhe jo dhe aq, tek të tjerët.
Ndeshja e radhës në Burrel me Lushnjen që ka po aq pikë sa ju. Si e parashikoni këtë përballje?
Lushnja ka ekip simpatik, ka një trajner me shumë eksperiencë dhe një grup lojtarësh, që e njohin shumë mirë kategorinë e parë. Do të jetë një ndeshje jashtëzakonisht shumë e fortë, jo vetëm ndaj Lushnjës por ndaj çdo kundërshtari. Unë futem për të marrë tre pikë dhe nuk kënaqem kurrë me barazim, kështu që do të luajmë për tre pikë me Lushnjën. Ftoj edhe tifozët që të jenë sa më shumë, në përkrahje të ekipit dhe fundjavën ta kthejmë në festë dhe mbi të gjitha të gëzojmë popullin matjan.