Në ndeshjen përmbyllëse të fazës së parë të kampionatit, skuadra matjane nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 ndaj Kukësit. Burreli ishte superior në lojë ndaj kundërshtarit dhe me pak fat skuadra e Bicaj mund ta kishte mbyllur me fitore.

Në fund të ndeshjes skuadrat ndanë nga një pikë, ku më të kënaqur mbetën miqtë. Trajneri Ditmar Bicaj, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” në lidhje me këtë takim u shpreh: “Ndryshe nga pjesa e parë, në të dytën skuadra tregoi më shumë dëshirë në kërkim të golit.

Burreli duhet të kishte goditur më shumë portën kundërshtare, në çdo lloj pozicioni. Përveç se kaq, skuadra duhet të kishte lëvizshmëri më të madhe dhe më shumë dëshirë për të fituar. Pengu më i madh janë 45 minutat e para. Kundërshtari kishte ardhur për të marrë një pikë, që e arriti me vonesa loje dhe me provokime”.

Pas përfundimit të fazës së parë të kampionatit, Burreli u rendit i pesti me 16 pikë. Barazimi i arritur ndaj Kukësit është i dyti për skuadrën e Bicajt në “Liri Ballabani”. Nëse i referohemi statistikave të së njëjtës periudhë të edicionit të kaluar, skuadra matjane ka bërë një paraqitje më të mirë.

Duke llogaritur humbjen ndaj Besës, matjanët kanë lënë jo pak, por shtatë pikë në fushën e tyre, çka do të përbënte një renditje më të mirë në klasifikim. Këtë javë, që i korrespondon të 12-ës, Burreli do të presë në fushën e vet Flamurtarin. Sikurse dihet, skuadra matjane është e vetmja që i ka marrë fitoren kuqezinjve në Vlorë.