Tre pikë të arta për Teutën, sidomos kur merren me përmbysje. Durrsakët mposhtën me rezultatin 2-1 Tiranën, që shënoi e para me anë të mesfushorit Edon Hasani.

Shkodranit iu përgjigj Ditmar Bicaj në 45 minutëshin e dytë të lojës, teksa realizoi një dygolësh. Qendërmbrojtësi lezhjan, edhe pse në prapavijë nuk ishte në lartësinë e duhur, i dha ekipit të tij një fitore me shumë vlera.

Një ndeshje që nisi mirë për durrsakët, por pa raste të mirë. Greca ishte ai që i pari rrezikoi, ndërkohë që iu kundërpërgjigj Latif Amadu. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 28-të, kur Edon Hasani realizoi nga goditja e këndit.

Sentamu dhe Asion Daja mund të kishin dyfishuar në pjesën e parë, por pa sukses. Tirana e mbylli në epërsi të një goli.

Pjesa e dytë nisi e vakët, me pak raste. Loja nuk ishte e rrjedhshme dhe vetëm nga goditjet standarde mund të vinte zgjidhja. Kështu ka ndodhur.

Bicaj pas një goditje këndi ka barazuar në të 70’, ndërkohë që dy minuta më pas me një goditje me kokë e ka detyruar portierin Ilion Lika ta nxjerrë topin nga rrjeta për të dytën herë.

2-1 dhe Tirana përpiqet të barazojë. Sentamu dhe Greca iu afruan golit.  I pari ishte i pasaktë, ndërsa në rastin e dytë Hidi shpëtoi Teutën. Rezultati përfundimtar i ndeshjes ishte 2-1.